Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Vuçiqi në Asamblenë e OKB-së falënderon shtetet që s’e kanë njohur Kosovën

Aleksandar Vuçiq

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara i ka falënderuar shtetet që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. 

Ai ka pretenduar se ka pasur presion ndaj tyre për të ndërruar qëndrim, por se ato kanë qëndruar konsistente. 

“Dua të falënderoj individualisht secilin nga 107 shtetet që nuk e kanë njohur pavarësinë e shpallur njëanshëm nga e ashtuquajtura Kosovë. E dimë se shumë prej jush keni qenë subjekt i presionit...Faleminderit që keni qenë konsistente. Që nuk e keni njohur pavarësinë e një pjese të territorit të Serbisë”, tha Vuçiq. 

Në fjalimin e tij Vuçiqi ka kritikuar sulmet e NATO-s ndaj Serbisë në vitin 1999. 

“Tentuan të merrnin 14 për qind të territorit të Serbisë. Kjo mund të duket si e kaluar e largët për ta, por plagët e vendosura në të drejtën ndërkombëtare janë të thella dhe të rënda”, tha Vuçiq. 

Edhe Pas njohjeve të reja për Kosovën, Serbia “mobilizohet” për “çnjohje” Arbëri Pas njohjeve të reja për Kosovën, Serbia “mobilizohet” për “çnjohje”

Ai po ashtu ka folur për Marrëveshjen e Brukselit. 

“Dua të ju paralajmëroj të gjithë këtu, kujdes kur nënshkruani me fuqitë e mëdha. Kështu nënshkruam marrëveshjen e famshme të Brukselit në vitin 2013, duke tentuar të zgjidhim problemet mes serbëve e shqiptarëve nëpërmjet kompromisit. Gjitha obligimet e ndërmarra nga Serbia janë plotësuar. E vetmja që është dashur të plotësohet nga shqiptarët, asociacioni i komunave serbe, nuk është bërë deri tash. Është interesante që marrëveshja është bërë në prezencë të BE-së, por edhe është konfirmuar me nënshkrim nga BE-ja”, tha Vuçiq.