Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Konferencën e ambasadorëve të Serbisë ka thënë se ka filluar një valë e re njohjesh së pavarësisë së Kosovës, teksa ka bërë thirrje për mobilizim për të punuar për çnjohje.
Këtë vit Kosova është njohur nga katër shtete të reja. E fundit që e njohu shtetësinë e Kosovës ishte Bahamet.
Vuçiqi tha se kishte pritur përparim të madh nga administrata e Donald Trumpit në SHBA, por thotë se nuk ka mbështetje nga asnjë fuqi e madhe.
Vuçiqi u ka thënë ambasadorëve serbë se “duhet punuar në çnjohjen e Kosovës”.
“Vetëm që ta dini, pavarësisht se çfarë ju thonë, pavarësisht se çfarë thonë, asnjë marrëveshje nuk e respektojnë as Prishtina, as Bashkimi Evropian e as SHBA-ja. Madje as ato që na imponuan – Kosova është pjesë e Serbisë për ne, kështu ka qenë dhe kështu do të jetë”, tha Vuçiqi, transmeton “N1”.
Vuçiqi ka thënë se Serbia duhet ta forcojë praninë në Azi, Afrikë, Amerikë të Jugut dhe Amerikë Qendrore.
Vuçiqi ka folur edhe për sanksionet e vendosura nga SHBA-ja ndaj Industrisë Serbe të Naftës (NIS).
“Kur ishte e vështirë për ne, nuk e morëm atë mbështetje nga fuqitë e tjera të mëdha, as në lindje, e as në Bashkimin Evropian. Çdokush prej tyre ka mundur të thotë – ne jemi këtu me ju, ne jemi këtu për ju. Askush nuk e bëri këtë, secili kishte arsyet e veta shtesë për presion, duke pritur edhe më shumë nga Serbia, duke kërkuar shumë, por duke mos dhënë asgjë”, tha Vuçiq.
Vuçiqi fton serbët ta votojnë Listën Serbe më 28 dhjetor
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u ka bërë thirrje serbëve të Kosovës që ta votojnë Listën Serbe në zgjedhjet e jashtëzakonshme në Kosovë më 28 dhjetor.
Vuçiqi ka thënë se Lista Serbe është “mbrojtësja e vërtetë” e serbëve të Kosovës.
“I bëj thirrje popullit serb të votojë për Listën Serbe, mbrojtësen e vërtetë të interesave kombëtare serbe. Dhe kjo është kërkesa ime për popullin serb në Kosovë e Metohi”, tha Vuçiq, raporton “Tanjug”.
Ai tha se duhet “shumë përpjekje dhe energji që serbët të kenë përfaqësuesit e tyre të vërtetë dhe jo mbrojtësit e politikës së keqe të Prishtinës”.