Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Asnjë reagim nga QUINT-i për kërcënimet e Vuçiqit ndaj Kosovës

Quint-flamujt

Kërcënimet e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ndaj Kosovës nuk u përcollën me reagime nga ambasada e Gjermanisë, Francës, SHBA-së, Britanisë dhe Italisë. Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, tha se shqetësimin e ngriti me ministrin e deleguar për Evropën në qeverinë franceze, Benjamin Haddad

Të pa dënuara nga bashkësia ndërkombëtare kanë kaluar deklaratat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili oficerëve të rinj ushtarakë u kërkoi të bëhen gati ta mbrojnë “tokën e shenjtë”, duke aluduar si tokë të shenjtë Kosovën.

Gjatë ditës KOHA ka kërkuar koment nga ambasadat e pesë vendeve të QUINT-it lidhur me deklaratat e Vuçiqit dhe u është drejtuar me pyetje nëse do të ketë pasoja për Serbinë, mirëpo gjatë së hënës nuk ka marrë përgjigje. 

E në Selinë e Aleancës Veriatlantike - NATO, kanë refuzuar të komentojnë mbi çështjen.

“Ne nuk komentojmë deklaratat e bëra nga udhëheqës dhe zyrtarë individualë”, thuhet në përgjigjen e NATO-s.

Në fjalimin e tij gjatë ceremonisë së promovimit të oficerëve të rinj të Ushtrisë serbe, Vuçiq tha se Kosova është pjesë e Serbisë, edhe sipas Kushtetutës, edhe sipas drejtësisë së Zotit. Diskurs ky i përdorur gjatë viteve ‘90 edhe nga Slobodan Millosheviq, pararendës i Vuçiqit. 

Edhe Shqipëria i përgjigjet Vuçiqit: Retorika nacionaliste s’mund ta tërheqë zvarrë rajonin Arbëri Shqipëria i përgjigjet Vuçiqit: Retorika nacionaliste s’mund ta tërheqë zvarrë rajonin

E para dy javësh, ministrja në qeverinë e Serbisë, Snezhana Paunoviq, tha se po të ishte në vend të Millosheviqit, do të kryente spastrim etnik në Kosovë. 

Deklaratën e Paunoviqit e dënuan ndërkombëtarët, por në Serbi ndaj saj nuk u morën masa, madje Vuçiqi dhe zv.kryeministri Ivica Daçiq i dolën në mbrojtje. 

Të dielën, ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, tha se qytetarët e Kosovës duhet të ndihen të sigurt, pavarësisht kërcënimeve të presidentit serb.

E të hënën, Glauk Konjufca, ministër në detyrë i Punëve të Jashtme, tha se shqetësimin për diskursin e zyrtarëve të lartë serbë, e ka ngritur edhe me ministrin e deleguar për Evropën në qeverinë franceze, Benjamin Haddad. 

“Po ashtu diskutuam për situatën e sigurisë në rajon. Retorikat që justifikojnë ose i relativizojnë krimet e viteve ‘90, siç po ndodh nga Serbia, janë jo vetëm provokim, por të papranueshme dhe të papërputhshme me vlerat e qytetërimit, të paqes dhe të demokracisë dhe nuk mund të kenë vend ato në Evropën demokratike. Paqja e qëndrueshme nuk mund të ndërtohet mbi mohimin e të kaluarës apo mbi thirrjet për përsëritjen e saj, por vetëm mbi të vërtetën, drejtësinë dhe përgjegjësinë”, ka thënë Konjufca. 

Ndërkohë, shqetësim lidhur me rrënimin e vilave të ndërtuara pa leje për rreth liqenit të Ujmanit shprehën në komunitetin ndërkombëtar. 

Edhe Kërcënim i ri nga Serbia Arbëri Kërcënim i ri nga Serbia

Gjithashtu reagime ka pasur edhe pas dekretit të presidentit në detyrë, Albulena Haxhiu, përmes së cilit u liruan nga detyra të shtatë prokurorët serbë, të cilët patën dhënë dorëheqje në fund të 2022-s.