Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kërcënim i ri nga Serbia

Vuciq

Foto: Tanjug

Një mesazh i ri kërcënues është dhënë nga Serbia. Në ceremoninë e promovimit të oficerëve të rinj, presidenti Aleksandër Vuçiq kërkoi nga ta që të jenë të gatshëm për mbrojtjen e asaj që e quajti “tokë të shenjtë të Serbisë”, duke aluduar në Kosovën

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka përcjellë mesazhe të reja kërcënuese ndaj Kosovës, duke e lidhur forcimin e ushtrisë serbe me mbrojtjen e territorit që Beogradi ende e konsideron të vetin.

Gjatë ceremonisë së promovimit të oficerëve të rinj të Ushtrisë, Vuçiq u ka kërkuar oficerëve të rinj që të jenë të gatshëm për mbrojtjen e, siç e ka quajtur ai, tokës së shenjtë të Serbisë.

“Ajo për të cilën ju sot jeni betuar është respektimi i Kushtetutës së Republikës së Serbisë, ruajtja e integritetit territorial të vendit tonë, dhe këtë jua them, sepse e di nëpër çfarë presionesh do të kaloni ju dhe udhëheqja politike, sepse nuk kemi asgjë më të shenjtë dhe më të rëndësishme sesa atdheun tonë. Kosova është pjesë e atdheut tonë, pjesë e Serbisë sonë, edhe sipas Kushtetutës, edhe sipas drejtësisë së Zotit, dhe këtë duhet ta kujtojmë, dhe këtë shenjtëri duhet ta ruajmë”, ka thënë ai.

Edhe në ketë ngjarje, Vuçiqi i është referuar marrëveshjes ushtarake ndërmjet Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë, që sipas tij, përbën aleancë kundër Serbisë. Sipas tij, aleancës Beogradi i është kundërpërgjigjur me investime në ushtri.

“Ne i kemi kuptuar ato mesazhe dhe kemi filluar të sigurojmë atë që është më e mira dhe më bashkëkohorja nga armatimi dhe pajisjet për ju, oficerë të dashur”, ka deklaruar ai.

Edhe Vuçiq: Kosova është pjesë e Serbisë sipas Kushtetutës dhe ‘drejtësisë së Zotit’ Arbëri 5 o. më parë Vuçiq: Kosova është pjesë e Serbisë sipas Kushtetutës dhe ‘drejtësisë së Zotit’

Vuçiqi ka thënë se shteti që përfaqëson do të jetë ushtarakisht neutral dhe porositi oficerët ta mbrojnë territorin, pjesë të të cilit e konsideron edhe Kosovën.

“Ndërkohë, jemi armatosur, jemi pajisur dhe jemi bërë një ushtri në mënyrë të pakrahasueshme më e fuqishme sesa kemi qenë dje. Dhe këtë nuk e kemi bërë sepse duam ta kërcënojmë dikë, jo sepse duam të rrezikojmë dikë, por sepse kemi mësuar leksione të hidhura nga historia jonë se sa herë që kemi qenë të dobët, kanë ardhur të na poshtërojnë, të na nënshtrojnë dhe të na marrin një pjesë të territorit”, ka thënë Vuçiqi.

Ceremonia u mbajt në Banjicë në prani të krerëve më të lartë shtetërorë e ushtarakë të Serbisë, përfshirë Patriarkun Porfirije, kryeparlamentaren Ana Brnabiq, kryeministrin Gjuro Macut, ministrin e Mbrojtjes, Bratislav Gashiq, dhe shefin e Shtabit të Përgjithshëm, Milan Mojsiloviq.

Gjatë ceremonisë u promovuan 130 kadetë me gradat e para të oficerëve, ndërsa ndër më të dalluarit u shpall edhe Predrag Gjuriq, i prezantuar nga autoritetet serbe si kadet “nga Kosova”.

Deklarata e tij është dhënë pak kohë pas kërcënimeve nga ministrja e qeverisë serbe, Snezhana Paunoviq. Më 11 korrik 2026, ministrja serbe e Administrimit Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale, deklaroi në një intervistë televizive se, po të kishte qenë në vendin e Slobodan Millosheviqit në vitin 1998, “do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën nga shqiptarët”.

Deklarata e Paunoviqit u dënua gjerësisht në Kosovë e ajo u shpall “non grata”. Ndaj saj, ministrja e Drejtësisë në detyrë, Donika Gërvalla, ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale të Kosovës.

Edhe Ministrja serbe i kërkon falje Vuçiqit pas deklaratës për “spastrimin etnik të Kosovës” Arbëri 1 j. më parë Ministrja serbe i kërkon falje Vuçiqit pas deklaratës për “spastrimin etnik të Kosovës”

E nga Bashkimi Evropian janë bërë thirrje që politikanët në Serbi të përmbahen nga deklaratat nxitëse dhe të respektohen detyrimet nga normalizimi i raporteve me Kosovën. Deklaratën e Paunoviqit e ka dënuar edhe komisionerja për Zgjerim në BE, Marta Kos, që është shprehur e tronditur se përse Paunoviq vazhdon të mbetet ministre në Serbi. Kosova i ka kërkuar reagim më të ashpër BE-së.

Ndërkaq në Serbi, deputeti i vetëm shqiptar, Shaip Kamberi ka iniciuar procedurën për shkarkimin e Paunoviqit. Dorëheqjen asaj ia ka kërkuar edhe një pjesë e opozitës në Serbi.

Pas reagimeve, vetë Paunoviq nuk kërkoi falje për deklaratën e saj, por pretendoi se u keqinterpretua. Ndërkaq, presidenti Vuçiq pati thënë se deklarata e Paunoviqit nuk është qëndrim i Qeverisë apo Presidencës serbe.

Pos deklaratës për spastrim etnik, Paunoviq gjatë gjithë intervistës në “Kurir” ka bërë thirrje kundër shqiptarëve. Ajo madje ka deklaruar se nuk do të jetë e largët koha kur Serbia do të kthehet në Kosovë. Në reagimin e prezantueses se “ndoshta vetë nuk do ta mbërrijnë, por fëmijët e tyre po”, Paunoviq ka thënë: “Do ta mbërrijmë edhe ne”.

Zyrtarët serbë shpesh akuzojnë pa paraqitur asnjë provë se autoritetet e Kosovës kanë dëbuar serbë.

Gjatë luftës në Kosovë, në vitet 1998-1999, janë vrarë mbi 13.000 civilë, ndërsa mijëra të tjerë janë zhdukur me forcë. Mbi 1.500 persona, shumica shqiptarë, vazhdojnë të figurojnë të zhdukur. Mijëra trupa janë gjetur ndër vite në varreza masive në Serbi. E sipas një raporti të Qendrës Amerikane për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, shifra e viktimave të përdhunimeve në Kosovë gjatë luftës arrin deri në 20 mijë. Gjatë luftës në Kosovë, forcat serbe dëbuan rreth 1 milion shqiptarë nga Kosova e kryen dhjetëra e dhjetëra masakra.

Edhe Vuçiq: Deklarata e Paunoviqit s’e pasqyron vullnetin tim dhe politikën e qeverisë serbe Arbëri 1 j. më parë Vuçiq: Deklarata e Paunoviqit s’e pasqyron vullnetin tim dhe politikën e qeverisë serbe

Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë në Hagë i ka cilësuar drejtuesit e atëhershëm të RFJ-së si pjesëmarrës kyç në një “ndërmarrje të përbashkët kriminale”, që synonte dëbimin me forcë të qindra mijëra civilëve shqiptarë nga Kosova, nga marsi deri në qershor të vitit 1999. Sipas aktgjykimeve, qëllimi ishte “ndryshimi i balancës etnike për të ruajtur kontrollin serb mbi Kosovën”. Ish-gjenerali i Ushtrisë jugosllave, Nebojsha Pavkoviq, si komandant i Armatës së Tretë, është dënuar nga Tribunali i Hagës me 22 vjet burgim për dëbime, zhvendosje me forcë, vrasje dhe përndjekje të civilëve shqiptarë në Kosovë, gjatë gjysmës së parë të vitit 1999. Së bashku me të janë dënuar edhe ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave, Dragolub Ojdaniq, ish-komandanti i Korpusit të Prishtinës, Vlladimir Llazareviq, gjenerali i policisë Sreten Llukiq dhe ish-zëvendëskryeministri i RFJ-së, Nikolla Shainoviq. I akuzuari kryesor, Sllobodan Millosheviq, vdiq në paraburgim para përfundimit të gjykimit më 2006. Pasues i tij në partinë SPS pas arrestimit më 2002, është bërë Ivica Daçiq, sot nënkryetar i Qeverisë së Serbisë.

Gjatë viteve të ’90-a, Serbia ka zhvilluar katër luftëra. Fillimisht ndaj Sllovenisë, e më pas ndaj Kroacisë dhe Bosnjë-Hercegovinës, dhe në fund të kësaj dekade ndaj Kosovës.