Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Konjufca: Serbia s’mund të pretendojë paqen kur zyrtarët e saj e sfidojnë sovranitetin e Kosovës

Glauk Konjufca

Foto: Driton Paçarada

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se Serbia nuk mund të pretendojë se synon paqen kur zyrtarët e saj po e sfidojnë hapur sovranitetin e Republikës së Kosovës.

Në një shkrim në rrjetin social “X”, Konjufca e ka përmendur deklaratën e zëvendëskryeministrit serb Ivica Daçiq, i cili gjatë një tubimi zgjedhor deklaroi se flamuri serb herët e vonë do të valëvitet në Prizren, si dhe pjesëmarrjen e kryeterroristit Milan Radoiçiq në tubimet e partisë së Aleksandar Vuçiqit. 

“Ambiciet e ripërtërira territoriale të Serbisë ndaj Republikës së Kosovës u shfaqën hapur edhe një herë këtë javë, kur zëvendëskryeministri i saj, Ivica Daçiq, deklaroi në një tubim zgjedhor se flamuri serb ‘herët a vonë do të valëvitet mbi Prizren’, një qytet në jug të Kosovës. Një retorikë e tillë dëshmon se ambiciet territoriale të Beogradit janë larg së qenit një çështje e së kaluarës. Vetëm dy ditë më vonë, Milan Radoiçiq – i cili kërkohet nga Interpoli për shkak të sulmit terrorist në Banjskë që ai e organizoi – u shfaq krah Danilo Vuçiqit në tubimin e partisë së Aleksandar Vuçiqit në Kragujevc; aty, Vuçiqi kërcënoi sërish pavarësinë e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Konjufca.

Sipas ministrit, këto nuk janë provokime të izoluara por nxjerrin në pah vazhdimësinë e një doktrine të rrezikshme politike. 

“Këto nuk janë provokime të izoluara. Ato nxjerrin në pah vazhdimësinë e një doktrine të rrezikshme politike: ekspansionizmin territorial në retorikë dhe pandëshkueshmërinë për agresion të armatosur në praktikë. Serbia nuk mund të pretendojë se synon paqen dhe integrimin evropian, ndërkohë që zyrtarët e saj të lartë sfidojnë hapur sovranitetin e Republikës së Kosovës dhe organizatori i pranuar i sulmit vdekjeprurës terrorist në Banjskë mbetet i lirë, duke u shfaqur publikisht krah familjes së presidentit në vend që të përballet me drejtësinë”, ka shkruar ai.

Edhe Kryeterroristi Radoiçiq i lirë në Serbi, merr pjesë edhe në tubime elektorale me djalin e Vuçiqit Arbëri Kryeterroristi Radoiçiq i lirë në Serbi, merr pjesë edhe në tubime elektorale me djalin e Vuçiqit

Konjufca i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtarë t’i dënojë këto veprime dhe të kërkojë llogaridhënie. 

“Komuniteti ndërkombëtar duhet t’i dënojë pa mëdyshje këto veprime dhe të kërkojë llogaridhënie. Sovraniteti i Republikës së Kosovës nuk është i negociueshëm, e po ashtu as drejtësia për sulmin terrorist në Banjskë”, ka shkruar tutje Konjufca.