Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Jakaj: PDK-ja kalkuloi me afate në Deklaratë, sepse do t’i duhej ta votonte presidentin

Naim Jakaj

Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka thënë se Partia Demokratike e Kosovës ka qenë e kujdesshme me afate në Deklaratën e miratuar në Kuvendin e Kosovës ndaj aktvendimit të Gjykatës Speciale, e cila dënoi me 81 vjet burgim katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Jakaj në emisionin “Interaktiv” në KTV ka thënë se po të përmendte PDK-ja afate për strategjinë, atëherë do ta vendoste në pozitën që do të duhej t’ia votonte Lëvizjes Vetëvendosje kandidatin për president në mënyrë që të mos shpërndahet Kuvendi.

“PDK-ja me gjasë si propozuese e kësaj deklarate është ruajtur që të mos ketë afate një mujore a dy mujore sepse nuk dihet a do të Kuvend funksional pas datës 6 tetor, apo Qeveri. Po besoj që të gjitha kanë qenë kalkulime në mënyrë që të mos përmendet sepse po të përmendet një mujori a dy mujori për strategjinë, për buxhetin tanimë veçse dihet që 31 tetori është afati i fundit për t’u miratuar ndarjet buxhetore, pastaj do ta vendoste PDK-në në atë pozitën që do të duhej gjithsesi ta votonte një kandidat nga LVV-ja që e propozon për president”, ka thënë Jakaj.

Jakaj ka thënë se barra më e madhe në këtë periudhë i bie Lëvizjes Vetëvendosje për shkak të numrave që i ka në Kuvendin e Kosovës.

Ai ka theksuar se “beteja” për katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët janë dënuar në Hagë, nuk i përket vetëm një partie politike por të gjithave pa dallim.

Edhe Ramosaj: Deputetët s’kanë bërë ndonjë punë të madhe, Deklarata ka peshë të vogël për kah fuqia Arbëri Ramosaj: Deputetët s’kanë bërë ndonjë punë të madhe, Deklarata ka peshë të vogël për kah fuqia

Kuvendi i Kosovës me 99 vota e ka miratuar Deklaratën për aktgjykimin e Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Në deklaratë vlerësohet i papranueshëm konstatimin i Dhomave të Specializuara për ekzistencën e një qëllimi të përbashkët kriminal, ndërsa në njërën nga shtatë pikat e saj bëhet edhe thirrje për hartimin e një strategjie të përbashkët shtetërore në kuadër të së cilës të bashkërendohen veprimet juridike, institucionale dhe diplomatike.


Jakaj: Kuvendi po të punojë edhe 18 orë s’mund t’i kryejë punët që janë grumbulluar për dy vjet

Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka thënë se fakti që tash e dy vjet nuk kemi pasur institucione funksionale, përfshirë Kuvend dhe Qeveri vetëm në detyrë ka bërë që të grumbullohen shumë detyrime të brendshme e ndërkombëtare.

Jakaj në emisionin “Interaktiv” në KTV është shprehur se deputetët e kësaj legjislature të Kuvendi të Kosovës edhe po të punonin 18 orë në ditë, nuk do të mund t’i kryenin punët që janë grumbulluar përgjatë kësaj periudhe.

“Sikur Kuvendi të punojë sot me 18 orë dhe 6 orët e tjera t’i lënë për gjumë, nuk do të ketë mundësi të kryhen këto punë edhe për 2 vjet. Pasojat të cilat Kosova i ka pasur për shkak të mos funksionimit të Kuvendit dhe të një Qeverie në detyrë kanë bërë që çështjet të grumbullohen por në mesin e këtyre çështjeve ose obligime të grumbulluara neve na ka dalë në rrugë edhe një çështje që nuk është çështje e një vendimi të një gjykate të rregullt në Republikën e Kosovës”, ka thënë Jakaj.

Tutje ai është shprehur se kur kanë mbetur vetëm edhe tetë ditë deri në afatin e fundit për çështjen e presidentit, Lëvizja Vetëvendosje do të duhej që t’i ftonte të gjitha partitë politike për të gjitha çështjet që lidhen me vendimin e Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë.

“Tash kur ka një deklaratë nga të gjitha partitë politike atëherë si mundet që edhe brenda këtyre tetë ditëve LVV-ja të mos i thërrasë arsyes që të ulet me PDK-në e partitë e tjera për çështjet që lidhen me Deklaratën dhe ndryshimet ligjore për Dhomat e Specializuara”, ka thënë Jakaj në emisionin “Interaktiv” në KTV.

Edhe Kuvendi miraton deklaratën për aktgjykimin e Speciales LAJMET E MBRËMJES Kuvendi miraton deklaratën për aktgjykimin e Speciales

Më 16 shtator Specialja me seli në Hagë, në shkallë të parë, i shqiptoi dënim prej 81 vjet burgim Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit. 

Pas vendimit, spektri politik përfshirë partinë në pushtet por edhe ato opozitare e cilësuan aktgjykimin e padrejtë dhe bënë thirrje për veprime institucionale në drejtim të vendosjes së drejtësisë.