Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Ende s’është funksionalizuar Grupi për strategjinë e përballjes me Apelin në Speciale

THaçi veseli krasniqi selimi

Institucionet dhe partitë ende nuk kanë deleguar emrat që do të jenë pjesë e Grupin punues për hartimin e Strategjisë shtetërore për procedurat e Apelit në Speciale, pas dënimit të ish-udhëheqësve të UÇK-së. Në Vetëvendosje e PDK thanë se emrat do t’i dërgojnë me kohë, por nuk treguan se kur.

Ende nuk është funksionalizuar Grupi Punues i formuar të mërkurën nga Qeveria, e që do të jetë përgjegjës për hartimin dhe harmonizimin e Strategjisë Shtetërore lidhur me procedurat e Apelit që do të zhvillohen para Gjykatës Speciale pas dënimit të katër ish-udhëheqësve të UÇK-së.

Kjo trupë që drejtohet nga zëvendëskryeministri Glauk Konjufca, do të ketë në përbërje 11 anëtarë që delegohen nga institucionet dhe partitë kryesore. Por, këto subjekte nuk kanë treguar se kë do ta delegojnë aty.

Në Partinë Demokratike thanë se do t’i dërgojë së shpejti emrat e përfaqësuesve të saj, e për të cilët theksuan se do të jenë profesionistë me përvojë dhe kompetenca përkatëse, në mënyrë që t’i shërbejnë me profesionalizëm mandatit dhe objektivave të grupit.

“Kontributi ynë do të përqendrohet në hartimin e një strategjie të koordinuar shtetërore për procesin e apelit, përmes ekspertizës profesionale, propozimeve konkrete dhe angazhimit institucional për sigurimin e mbështetjes së nevojshme për mbrojtjen. Për PDK-në, kjo është çështje e interesit kombëtar, që kërkon seriozitet, bashkëpunim dhe angazhim përtej dallimeve partiake”, thuhet në përgjigjen e PDK-së 

Përfaqësues do të kenë edhe LVV-ja, LDK-ja, AAK-ja, kurse një anëtar do të jetë nga radhët e komuniteteve. 

Në këto subjekte politike nuk treguan të shtunën se kë do ta delegojnë.

Ndërkaq, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj, në një intervistë për KosovaPress, nuk ka treguar se kush do të jetë përfaqësuesi i kësaj partie për këtë grup punues.

“Ne do ta diskutojmë, që emrin do ta dërgojmë me kohë. Ka diskutime dhe se emri do të dërgohet, nuk dua të diskutime asgjë është në diskutim e sipër. Ajo nga çka pash është se edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, e kishte një emër që do ta propozonte”, ka thënë Rexhaj. 

Dy ditë më parë, kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku ka thënë se i ka propozuar shefes së grupit parlamentar që në këtë grup të marrë pjesë deputeti, Kujtim Shala.

Krahas partive, në grup do të jenë të përfaqësuar edhe Zyra e Kryeministrit, Ministria e Drejtësisë, Ministria për Punë, Familje dhe Vlera të Luftës Çlirimtare, si dhe Presidentja e Kryesia e Kuvendit.

Përpos për hartimin dhe harmonizimin e Strategjisë Shtetërore lidhur me procedurat e Apelit, Grupi do të jetë përgjegjës edhe për bashkërendimin e veprimeve institucionale dhe diplomatike për dokumentimin, mbrojtjen dhe afirmimin e së vërtetës historike të luftës clirimtare të Kosovës. 

Kjo trupë do ta ketë për obligim shqyrtimin e çështjeve me rëndësi strategjike dhe përgatitjen e propozimeve dhe rekomandimeve në zbatim të mandatit të tij.

Grupi u formua pasi më 16 shtator, shkalla e parë e Speciales i dënoi për krime lufte ish-udhëheqësit e UÇK-së: Hashim Thaçin e Jakup Krasniqin me nga 25 vjet burgim, Kadri Veselin me 18 e Rexhep Selimin me 13 vjet burgim.