Me një interpretim të shkëlqyer, me skena e detaje që një pjesë të audiencës e bën të ndihet në siklet, për herë të parë në teatrin Dodona, u shfaq premierë monodrama e autorit Ridvan Dibra dhe me regji të Ben Apollonit, “Dashuritë e Virgjëreshës Madalenë”.
Kjo shfaqje paraqet në qendër të veprës fatin e një femre me emrin “Madalenë”.
Ajo e ka një lloj frike nga e kaluara e saj, duke u ndikuar kështu nga rrethi shoqëror me një mentalitet, që në raste të caktuara, është i pranishëm në shoqërinë tonë edhe sot.
“Dashuritë e Virgjëreshës Madalenë” me pak satirë në vete dhe me lojën e mrekullueshme të aktores, Arjola Demiri, arriti që ta bëjë publikun të qeshë dhe ta përcjellë shfaqjen me shumë duartrokitje, transmeton emisioni Express në KTV.
Demiri pas shfaqjes ishte tejet e emocionuar.
Monodrama si gjini teatrore konsiderohet si më e vështira, ndërsa për Demirin kjo ishte hera e parë.
Regjisorit, Ben Apolloni, gjithmonë i ka pëlqyer të merret me vepra e autorë që ironinë e kanë figurë qendrore. Arti përveç të tjerash, sipas tij, duhet të jetë edhe provokues e po ashtu edhe të na vërë në siklet.
Në mesin e shumë të pranishmëve në sallë, ishin edhe koleget e aktores Demiri, të cilat ishin aty për ta përkrahur miken dhe kolegen e tyre.
Repriza e monodramës “Dashuritë e Virgjëreshës Madalenë”, jepet këtë të martë nga ora 19:30 në Teatrin Dodona.