Në shikim të parë ngjarja është krejt reale, por secili mister i saj, zbërthen rrëfimin shumështresor të shfaqjes. “Mbretëresha e bukur e Lenanit” e zhyt publikun në absurd, aty e bën edhe të qeshë, personazhet nuk dalin dot prej izolimit, një nënë mbërthehet prej egoizmit dhe frikës së vetmisë që e verbon edhe përballë lirisë të së bijës. “Lamtumirë...” është fjala e epilogut të shfaqjes me tekst të Martin McDonagh nën regji të Armend Zeqirit, por personazhet nuk dalin dot prej realitetit
Dramaturgu i shquar në botën e teatrit bashkëkohor, Martin McDonagh dëshmohet shpesh për historitë reale të shoqërisë që përkthehen në komedi të errëta në skenë teatrore. Unike është sesi detajet që fillimisht janë informacione të zakonshme, çojnë drejt thellimit në një mister i cili kur zbulohet, del të jetë tragjik. E zhyt publikun thellë në ndërgjegje, por edhe e bën të qeshë pafund përgjatë zhvillimit të historisë. E tillë ka qenë edhe shfaqja “Mbretëresha e bukur e Lenanit” nën regji të Armend Zeqirit.
Produksioni i aktores Verona Mirena e pret publikun derisa hyn e rehatohet në sallën e teatrit “Dodona”. Ambienti i ngrohtë, gjysmë i ndriçuar e nën ritmet e lehta të muzikës jazz e gjen në skenë njërin prej personazheve.
Është Igballe Qena e cila luan si Mag, nëna e moshuar e Maurinës, një vajzë e pamartuar e cila luhet nga aktorja Mirena. Kur ajo hyn në skenë, nisin përplasjet midis tyre. Derisa Maurin nuk është aty, shtëpia e saj vizitohet nga Ray, një i ri i cili i fton ato në një festë lamtumirëse për xhaxhain e tij. Sapo ai largohet, Mag e shkatërron mesazhin duke e djegur ftesën. Maurin e qorton keq kur kthehet duke iu referuar dorës së saj të djegur. Gjithsesi ajo shkon në festë dhe më pas sjell në shtëpi Paton, vëllain e Rayt.
Si Ray Kelly luan Dren Arifi. Humori ka shpërthyer në skenat e tij sikurse edhe fjalori eksplicit.
“Roli ka qenë i vështirë, por është arritur me punë me ekipin dhe regjisorin. Është karakter pak më temperament. Është djalë i ri, 19-vjeçar të cilit i shkojnë shumë gjëra nerva. Temperamentin e ka më të avancuar se të tjerët, jo tamam një adoleshent i ri”, ka thënë Arifi.
Fillimisht qasja e Maurin ngjan se është e gabuar, por publiku fillon ta kuptojë se ajo është e burgosur në shtëpinë e saj dhe se ajo po fillon të shpërthejë e të rebelohet. Është Pato, që luhet nga Çlirim Shabani, ai që ka 20 vjet njohje me Maurinën 40-vjeçare dhe se atë e njeh si “mbretëreshën e bukur të Lenanit”.
Mag e akuzon Maurin se ajo ia ka djegur dorën qëllimisht duke i hedhur vaj të nxehtë sipër para se ajo të shpërthejë duke treguar se kishte pësuar një krizë nervore 15 vjet më parë.
Pato i dërgon letër Maurinës duke i bërë me dije se do të shkojë të punojë me xhaxhain e tij amerikan në Boston dhe se dëshiron që atë ta marrë me vete sa më shpejt. Në të shkruhet një detaj që vetëm ata të dy e dinë. Letra e dërguar nga Ray bie në duart e nënës së Maurinës e cila e djeg atë.
Verona Mirena e cila luan si Maurin ka thënë se roli ka qenë sfidues.
“Një ndër rolet e mia më sfiduese për shkak të moshës dhe ka qenë një rol me një peshë shumë të madhe. Mendoj se me punën që e kemi bërë së bashku me ekipin dhe me ndihmën e partnerëve, regjisorit, veçse e kemi arritur atë që e kemi dashur”, është shprehur ajo.
Mirena ka diplomuar në nivelin master për Aktrim, e mentoruar nga aktori i mirënjohur Luan Jaha. Përkundër roleve të tjera që ka pasur, ky ka qenë i veçantë për aktoren.
“Kam pasur shumë role, por nuk kam ndier kurrë për asnjë moment të vetëm më shumë emocione dhe përgjegjësi më të madhe se sot sepse edhe kam diplomuar në master me këtë shfaqje. Kështu që, po ndihem e përmbushur, njerëzit që i dua më së shumti, kanë ardhur”, ka thënë ajo.
Kur Maurin kthehet në shtëpi, nënës së saj aksidentalisht i shpëton detaji sekret dhe pasi vajza kërkon informacione se çfarë kishte marrë vesh, e torturon gruan e shtyrë në moshë duke ia shoshitur shuplakën mbi sobë dhe duke hedhur vaj të nxehtë mbi të. Tek e lë nënën e saj në atë gjendje, vesh fustanin dhe niset për në festë. Ndërkohë nëna e saj vdes dhe kur Maurin kthehet i rrëfen asaj se është përshëndetur me Paton në stacion treni. Kur shfaqja bën me dije se Pato në fakt kishte ikur me taksi, bëhet e ditur edhe shëndeti mendor i Maurin.
Shfaqja ka plot elemente të përshtatura për kontekstin e Kosovës. Regjisori i shfaqjes, Armend Zeqiri ka thënë se janë munduar ta përafrojnë me vendin.
“Jemi munduar ta përafrojmë sepse në analizën time jemi popull i përafërt me Irlandën dhe jemi munduar ta sjellim me një koncept dhe një formë që të tingëllojë bukur dhe këndshëm edhe për ne. Sipas reagimeve të njerëzve mendoj se ia kemi dalë. Teksti flet për një izolim në një vend ku një grua e moshuar e mban nën kontroll vajzën e saj dhe nuk e lejon të martohet sepse frikësohet se do të mbetet vetëm. E gjithë shfaqja është rreth luftës së saj për ta mbajtur vajzën brenda shtëpisë për t’u përkujdesur për të në momente kur ajo nuk do të jetë më”, ka thënë ai duke iu referuar autorit të tekstit si shumë real.
“Realiteti është diçka që njerëzit i tërheq dhe si formë e imja është të sjell njerëzit të shohin ngjarje reale dhe të mund të marrin një mesazh. Për mua është e mjaftueshme nëse vetëm edhe një person brenda kësaj shfaqjeje ka arritur ta rimendojë formën e edukimit të fëmijës së vet për t’u dhënë më shumë liri sepse shfaqja flet sesi njerëzit janë kontrollues më shumë sesa që duhet”, ka thënë ai.
Salla e teatrit të qytetit “Dodona” ka qenë plot për këtë shfaqje. Regjisori Fatos Berisha ka thënë se ekipi ka arritur të përcjellë emocione të forta me minimalizëm.
“Shfaqja më pëlqeu, disa prej aktorëve i pashë për herë të parë në skenë. Më pëlqeu interpretimi, është një autor shumë i mirë, tekstet e të cilit i adhuroj. Mendoj se nuk është i lehtë për interpretim, ndonëse për publikun është shumë i këndshëm. Përgëzoj regjisorin për guximin artistik, por edhe për punën e tij që me një minimalizëm ka arritur ta bëjë lojën aktoreske me të cilën kanë përcjellë te publiku emocione të forta”, ka konsideruar ai.
Ka thënë se janë me fat ata që i punojnë veprat e McDonagh, i lindur më 1970 i shquar për humorin e zi.
“Autori është shumështresor, edhe pse gjuhën e ka shumë të drejtpërdrejtë dhe shpesh eksplicite. Trajton shumë prej temave të Irlandës, prej nga vjen vetë. Flet për njerëzit e lënë diku në provincat e thella që duan të ikin nga aty dhe ngelin. Edhe kjo sonte më ngjan e tillë. Ky autor është i nivelit botëror dhe ata që i punojnë veprat e tij janë me fat”, ka thënë Berisha.
Funerali i Mag bëhet pas hetimeve për vdekjen e saj kur Maurin lirohet nga akuzat. Ray bën me dije se Pato është fejuar me një tjetër grua gjersa Maurin i kërkon t’ia dërgojë mesazhin e fundit: “Mbretëresha e bukur e Lenan thotë ‘Lamtumirë’”.
Vepra ishte inskenuar edhe nga teatri “Hadi Shehu” në Gjakovë ku kishin luajtur Myrvete Kurtishi, Altina Kusari, Ylber Bardhi dhe Edmond Hafizademi, nën regji të Ilir Bokshit.