Satira është e mbrehtë në edicionin e 14-të të ekspozitës “Net/Rrjet” të hapur të mërkurën pasdite në Prishtinë. Aty luhet edhe me autorësinë përballë Inteligjencës Artificiale, por ajo që i bashkon, është koncepti i edicionit të sivjetmë, “Play On”, një “formulë” e artit disi të papërfunduar që i nënshtrohet maksimës filozofike, “pantha rheui”. “Po t’i shohim këto vepra, secila ka një lëvizje. Nuk është aty ku ndalet, por ka një vazhdimësi. Dhe kjo pjesë e vazhdimësisë është pikërisht koncepti i ekspozitës”, ka thënë kuratori Zeni Ballazhi
Vepra tregohet, por edhe nuk tregohet. Është sikur e kthyer prapa. Për këtë arsye mban edhe titullin “Mystical Word” (Fjalë mistike). Por edhe autorësia ka diçka mistike e, përtej saj, njëfarë mjegullnaje. “Autor fillestar/shitës” është Muhamet Ahmeti. Nëpërmjet një “Kontrate artistike”, ai ia ka shitur të drejtat e idesë artistike Genc Rezniqit. E vepra vjen në emër të Genc Rezniqit, i cili pretendon se tashmë mban edhe autorësinë. Bashkë me ironinë dhe satirën, vepra është një prej dhjetë projekteve artistike të ekspozuara në edicionin e 14-të të ekspozitës “Net/Rrjet”, që organizohet nga “Expoart.40”. Ndoshta është provokimi më tërheqës i ngjarjes e, padyshim, më therësja për nga ironia ndaj artistllëkut të sotëm.
Ekspozita, e hapur në qendrën “Barabar”, në hotelin Grand të kryeqytetit, nën kurimin e Zeni Ballazhit, bashkon disa artistë vendas dhe disa nga rajoni e shtete më të largëta. Siç është bërë zakon që organizatorët të përfshihen edhe vetë e të angazhojnë në projekte edhe familjarët, aty zë vend edhe një vepër e ideatores dhe drejtoreshës artistike të “Net/Rrjet”, Majlinda Kelmendi. Afër veprës së saj, “Fragments of a Being — Reflection” është edhe “Mystical Word”. E ngjitur në mur, sikur të ishte nga prapa, ajo ndahet në katër korniza. Në njërën janë të dhënat e “autorit fillestar”, krahas saj një kombinim ngjyrash me dy figura e, poshtë tyre, figura të tjera njerëzore. Kontrata qëndron anash.
“Palët pranojnë se misteri mund të shitet, të dokumentohet e të ekspozohet, por jo domosdoshmërisht të shpjegohet. Shitësi nuk garanton se publiku, kritika apo vetë blerësi do ta kuptojë veprën. Mospajtimet mbi kuptimin e saj do të trajtohen fillimisht me një bisedë dhe një kafe; nëse misteri mbijeton, palët mund t’u drejtohen mjeteve të zakonshme ligjore”, shkruhet në nenin e katërt, që renditet para “klauzolës satirike”.
“Koncepti i veprës është një gjysmëironi, gjysmëparodi në raport me atë që po ndodh me inteligjencën artificiale. Në realitet, ne kurrë nuk e dimë saktësisht nëse jemi viktima të inteligjencës artificiale apo përfitues të saj. Duke menduar për këtë, më ka shkuar në mendje që një vepër timen, që në këtë rast nuk është e imja, ta punoj një profesor imi dhe të ironizojmë nëpërmjet një kontrate, ku Muhamet Ahmeti është autor i veprës, kurse unë jam autori i idesë. Do të thotë, ky është koncepti ku, në fund të ditës, nuk e dimë kush është vërtet autori”, ka thënë Genc Rezniqi.
Ironia dhe satira e tij duket sikur e tejkalojnë paksa edhe inteligjencën artificiale. Sot ka shumë raste kur njerëzit paraqesin projekte artistike e instalacione edhe me vepra të të tjerëve. Pra, janë bartës të ideve.

Artistja Irena Paskali nga Maqedonia e Veriut, e cila merr pjesë për herë të dytë në këtë ekspozitë vjetore, prezantohet me tri projekte. Njëri prej tyre është videoja “Take away”. Me kamerën statike, ajo ka filmuar veten duke u afruar dhe duke shikuar tre lisa. Ndërton njëfarë koncepti, sikur atë pamje dëshiron ta marrë me vete kudo që shkon. Ia ka arritur ta bëjë këtë nëpërmjet videos.
“Më pëlqen shumë kjo ekspozitë ndërkombëtare me nivel të lartë. Videoja ‘Take away’ është realizuar më 2019, gjatë një rezidence në Gjermani. Rashë në dashuri me një lis. E shihja nga dritarja dhe më dukej si një lis me tre trungje ose këmbë, por kur u afrova, pashë se ishin tre lisa. Kështu, doja t’i kisha me vete”, ka thënë ajo.
Afër videos është edhe seria e fotografive. Melodia dhe lëvizjet e zogjve po ashtu e kishin bërë për vete. Ajo i ka shkrepur vetes fotografi me një lloj pelerine në krahë, duke “imituar” zogjtë.
“Pastaj ishte melodia e zogjve që më bëri për vete dhe fotoseria synon që ata të shkojnë gjithandej botës. Nuk u bëra zog në fotografi, por, nëpërmjet artit, duket sikur po i dërgoj gjithandej”, ka thënë ajo.
Ekspozita bashkon edhe veprat e Arbër Sahitit, Dan Smithit nga Mbretëria e Bashkuar, Daria Baiocchit, Riccardo Gagliarduccit dhe Roberto Rossos nga Italia, Dominik Shtibernikut nga Sllovenia, Marianna Glynskës nga Ukraina, Petar Pocsit nga Hungaria dhe Simone Lukas nga Gjermania.
Kuratori Zeni Ballazhi ka thënë se artistët ndërkombëtarë janë përzgjedhur duke u bazuar në konceptin “Play On”.
“Për këtë edicion kam menduar se secili artist, duke krijuar, ka një koncept për atë që krijon dhe përfundon, por gjithmonë mendon se nuk përfundon me atë që është dhe kërkon hapësira të reja për ta kufizuar konceptin për atë që ka lënë pas. Po t’i shohim këto vepra, secila ka një lëvizje. Nuk është aty ku ndalet, por ka një vazhdimësi. Dhe kjo pjesë e vazhdimësisë është pikërisht koncepti i ekspozitës”, ka thënë ai.
Sipas Ballazhit, hapësirat janë shumë të rëndësishme për ekspozimin e veprave.
“Ne jemi munduar që këtë hapësirë ta përshtatim për dhjetë artistë, duke e bërë atë multimediale. Është një miks i mirë, pasi të gjitha veprat, veç e veç, e kanë konceptin e vazhdimësisë”, ka thënë ai.
Vitin e kaluar, në edicionin e 13-të, veprat e mediumeve tradicionale e bashkëkohore shtronin pyetjen: “Çfarë duhet të qëndrojë?” Ekspozita, me kuratore të bijën e drejtoreshës, Bora Kelmendin, ishte vazhdimësi e ndërlidhjes së praktikave e kulturave artistike të artistëve vendorë e ndërkombëtarë. Në ambientet e qendrës “Barabar” në Prishtinë, publiku pati mundësi të eksploronte gjurmët artistike në urgjencën e paqëndrueshmërisë së kësaj epoke.
Për këtë projekt, Ministria e Kulturës kishte ndarë vitin e kaluar 40 mijë euro, aq sa ishin ndarë edhe për sivjet dhe për vitin 2027, nëpërmjet programit për përkrahje trevjeçare.
“Është ngritur standardi në Kosovë. Ka shkuar në 40 mijë euro ekspozita kolektive me dhjetë veta”, kishte thënë vitin e kaluar një artist që ka ekspozuar në këtë ngjarje.