Kulturë

“Dashuritë e virgjëreshës Madalenë” përballë mentalitetit e absurdit

Prishtinë, 6 shkurt – Skena e teatrit të qytetit të Prishtinës “Dodona” u shndërrua në fole për një grua që ndante me publikun etapat e jetës së saj. Virgjëria është emëruesi i përbashkët i rrugëtimit të saj. Beteja me këtë emër, që në mentalitetin shqiptar nënkupton vlerë dhe status të caktuar shoqëror, e përcjell Madalenën gjithë jetën.

Shfaqja “Dashuritë e virgjëreshës Madalenë”, me tekst të bazuar në romanin me të njëjtin titull të Ridvan Dibrës, nën regji dhe skenografi të Ben Apollonit, e dhënë premierë të hënën mbrëma, vjen me kthesa të papritura që herë e lënë publikun duke e pyetur veten e herë pa përgjigje në pyetjet e aktores.

Qysh në fillim të shfaqjes kumbon zëri i regjisorit tek thotë “Zoti na faltë!”- që pasohet nga monodrama ku shihet se sa shpesh ofendohet një vajzë duke i vendosur moralin e vlerën “në asgjë”. Ndërveprimi i aktores me publikun është i shpeshtë. Skenat dhe kostumet ndërrohen, toni i zërit e gjestet, mësimet e aktores nga jeta, vitet e datat, gjithçka ndërron përveç mentalitetit të njerëzve që e rrethojnë, se vlera e një gruaje matet me atë se a është a jo e virgjër. Muzika e Memli Kelmendit, kostumografia e Valdete Mustafës, dizajni i dritave nga Skënder Latifi, grimi i Nora Rrahmanit, janë ato që e plotësojnë monodramën.

Edhe pse quhet “Dashuritë e virgjëreshës Madalenë”, ajo kurrë nuk mori dashuri, por komente mbi virgjërinë, ngacmime e përbuzje në tri etapa të jetës së saj – si 15, 25 dhe 40-vjeçare, që aktorja në monologun e saj i përshkruan si periudha kryesore në jetën e një gruaje.

Aktorja Arjola Demiri për të cilën ishte hera e parë që sfidohej me monodramë, ka thënë se ishte e vështirë për të për shkak të volumit të tekstit dhe barrës që ajo e bartte e vetme, por me “Dashuritë e virgjëreshës Madalenë” me anë të ironisë të përcjellin mesazhin se një grua apo vajzë vlen përtej virgjërisë së saj a statusit martesor.

Regjisori Ben Apolloni ka thënë se e ka zgjedhur autorin Ridvan Dibra për faktin se është mjeshtër i ironisë, apo një nga ata shkrimtarë që mund të quhen edhe filozofë dhe ajo që e ka intriguar edhe më është tematika e këtij libri.

(Gjerësisht, sot në "Kohën Drtiore")