Prokuroria Speciale do të kërkojë paraburgim ndaj tre personave të dyshuar për sulmin fizik ndaj gazetarit Valon Syla, që ndodhi të martën mbrëma në Prishtinë.
Zëdhënësi i Prokurorisë, Ekrem Lutfiu, ka thënë për KOHËN se kërkesa do të bëhet gjatë ditës.
“Ju njoftoj se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, gjatë ditës do të bëjë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tre personave të ndaluar për veprën penale ‘’Nxitja e përçarjes dhe urrejtjes’’, nga neni 141 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 dhe 31 të KPRK-së”, ka thënë ai.
Gazetari Valon Syla është sulmuar fizikisht të martën në mbrëmje nga tre persona, të cilët tashmë janë arrestuar.
Ai është sulmuar fizikisht në lagjen “Bregu i Diellit” në Prishtinë. Syla ka pësuar lëndime në kokë ndërsa ka pranuar trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.