Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Katër të arrestuar për protestën para Kuvendit

Katër të arrestuar për protestën para Kuvendit

Foto: Driton Paçarada

Katër persona janë arrestuar lidhur me protestën e së hënës në Prishtinë, ku pati përplasje mes protestuesve dhe policisë. Tre prej tyre dyshohen për sulm ndaj personit zyrtar, ndërsa një për sulm ndaj gazetarit. Dy të arrestuarve tashmë u është caktuar paraburgimi prej 30 ditësh

Katër persona janë arrestuar lidhur me ngjarjet e dhunshme në protestën e së hënës në sheshet e Prishtinës, ku kërkohej miratimi i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Prokuroria në Prishtinë ka njoftuar se tre veta janë ndaluar për sulm ndaj personit zyrtar, ndërsa një për sulm ndaj një gazetari.

Dy nga të arrestuarit janë në paraburgim që nga e marta, me vendim të Gjykatës.

“Personat me inicialet E. S. dhe F. Z., nën dyshimin e kryerjes së veprës penale ‘Sulm ndaj personit zyrtar’, me vendim të prokurorit të shtetit janë ndaluar dhe, me kërkesë të parashtruar nga prokurori i çështjes, Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit ndaj të pandehurve. Po ashtu, lidhur me këtë rast, në bazë të urdhrit të prokurorit të shtetit është ndaluar edhe një person për 48 orë, nën dyshimin e kryerjes së veprës penale ‘Sulm ndaj personit zyrtar’, nga neni 402 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Lidhur me protestën është ndaluar një person për sulm ndaj gazetarit, për veprën penale ‘Sulmi’, nga neni 184 i KPRK-së”, ka bërë të ditur Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Rasti lidhet me protestuesit që kapën dhunshëm deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Fahrush Rexhepi, duke e kthyer brenda rrethojave të Kuvendit. I ndaluari i tretë për këtë rast është mbajtur për 48 orë dhe është liruar në procedurë të rregullt.

I arrestuari i katërt është për sulm ndaj gazetarit Jeton Sopa.

Rasti tashmë ka kaluar te krimet e rënda dhe është duke u hetuar nga organet kompetente.

Protesta u mbajt para Kuvendit, ndërsa të hënën mbrëma eksaloi. Policia përdori gaz lotsjellës e topa uji për ta shpërndarë turmën.

Një numër protestuesish kanë pretenduar se është ushtruar forcë joproporcionale dhe është përdorur edhe gaz lotësjellës me afat të skaduar.

Inspektorati Policor (IPK), në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë, ka iniciuar sipas detyrës zyrtare një hetim preliminar me qëllim të vlerësimit të veprimeve policore gjatë menaxhimit të protestës.

IPK-ja ka konfirmuar se, në kuadër të këtij hetimi, përveç ankesave të pranuara nga qytetarët, do të verifikohen edhe pretendimet e ngritura lidhur me afatin e skadimit të gazit lotsjellës të përdorur gjatë protestës.

Sipas IPK-së, si për ankesat e pranuara në objektet e këtij institucioni, ashtu edhe për rastet e iniciuara në kuadër të detyrës zyrtare, tashmë janë duke u ndërmarrë veprime hetimore, përfshirë sigurimin e video-incizimeve dhe dëshmive të tjera, marrjen e deklaratave dhe shikimin e dokumentacioneve zyrtare policore që ndërlidhen me menaxhimin e protestës.

“IPK-ja do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme në kuadër të mandatit ligjor për të sqaruar rrethanat dhe, bazuar në gjetjet e hetimit preliminar, do të vlerësojë hapat e mëtejmë që mund të ndërmerren”, kanë deklaruar në IPK.

Së paku 23 persona, përfshirë edhe tre zyrtarë policorë, kërkuan trajtim mjekësor në Qendrën Klinike dhe Universitare, shkaku i lëndimeve të marra.

Protesta vazhdoi edhe të martën dhe përfundoi në minutat e fundit të asaj dite, kur deputetët votuan në lexim të dytë Ligjin që synon t’ia kufizojë juridiksionin Dhomave të Specializuara, shkalla e parë e të cilave dënoi për krime lufte udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçin e Jakup Krasniqin me nga 25 vjet burgim, Kadri Veselin me 18 vjet burgim dhe Rexhep Selimin me 13 vjet burgim.