Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Tetë të shoqëruar në Polici pas përplasjeve në protestën jashtë Kuvendit të Shqipërisë

Protesta

Policia e Shqipërisë ka bërë të ditur se tetë persona janë arrestuar në protestën që ndodhi jashtë Kuvendit të Shqipërisë të enjten. 

Policia ka bërë të ditur se gjatë tubimit, disa prej pjesëmarrësve kanë shtyrë e goditur me vezë, domate, gurë e sende tjera zyrtarët policorë. Kjo nuk është ndalur edhe përkundër thirrjeve të zyrtarëve policorë. 

Policia përdori sprej. 

“Në këto kushte, punonjësit e Policisë, në zbatim të procedurave standarde të punës, me qëllim neutralizimin e veprimeve të dhunshme të disa prej pjesëmarrësve në tubim, kanë përdorur spraj individual policor dhe, në vijim të veprimeve, kanë shoqëruar, deri në orën 17:30, tetë persona që kryenin veprime të dhunshme. Shërbimet e Policisë po kryejnë detyrën me korrektësi dhe profesionalizëm, për të garantuar rendin, sigurinë dhe ushtrimin e së drejtës së çdo qytetari për të protestuar paqësisht. Në këtë kuadër, Policia e Shtetit apelon për pjesëmarrësit në tubim që të respektojnë ligjin dhe të mos kryejnë veprime të dhunshme ndaj punonjësve të Policisë, pasi çdo veprim i kundërligjshëm do të trajtohet në përputhje me ligjin”, thuhet nga Policia e Shtetit. 

Në Kuvendin e Shqipërisë u mbajt sot seanca e radhës plenare, ndërsa në qendër të diskutimeve ishte Reforma Territoriale.

Në tubim sot pos protestuesit e përnatshëm që prej më shumë se katër muajsh vijojnë të dalin në bulevard, si një grupim më vete ishin edhe ata të Partisë Demokratike. 

Që në nisje të seancës u shënuan përplasej e para mes protestuesve dhe efektivëve. Tubuesit kanë shtyrë herë pas here fizikisht punonjësit e policisë me qëllim për të çarë kordonin e efektivëve dhe për t’iu afruar hyrjeve të Kuvendit.

Për t’i shpërndarë policia ka përdorur sprej lotsjellës, duke normalizuar situatën. Një incident tjetër u shënua dhe mes dy personave në protestë, ku u pa një burrë teksa godiste me shuplakë një djalë të ri. Protestuesit po ashtu kanë bllokuar edhe akset rrugore, ndërsa në negociata me policinë tentuan të futen disa prej deputetëve të PD, të cilët kërkonin që efektivët të lejonin që protestuesit të vijonin ‘planin’, shkruan “Top Channel”. 

Edhe pas tentativave, protestuesit nuk kanë kaluar përtej kordonit të policisë, ndërsa në shenjë revolte ata u kanë vënë flakën koshave të mbeturinave.