Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Sulmohet fizikisht gazetari Valon Syla, AGK-ja kërkon hetime urgjente

Gazetari Valon Syla është sulmuar fizikisht të martën në mbrëmje nga tre persona, të cilët deri tash nuk janë identifikuar.

Ai është sulmuar fizikisht në lagjen “Bregu i Diellit” në Prishtinë. Syla ka pësuar lëndime në kokë ndërsa ka pranuar trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Rasti është hapur në Policinë e Kosovës, ndërsa Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në vendin e ngjarjes.

“Me urdhër të Prokurorit të Shtetit rasti është cilësuar “Lëndim i lehtë trupor”, sipas KPRK-së dhe në vazhdimësi janë duke u zhvilluar hetime në mënyrë intensive, me qëllim të sqarimit të rrethanave të këtij rasti, si dhe identifikimit e sigurimit të prezencës së të dyshuarve në procedurën penale”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Sulmi fizik ndaj Sylës ka alarmuar komunitetin e gazetarëve. Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e ka quajtur këtë sulm krejtësisht të papranueshëm dhe përpjekje serioze për të penguar dhe minuar lirinë e shprehjes dhe lirinë e medies në Kosovë.

Edhe Ambasada amerikane: Sulmet ndaj gazetarëve shkelin parimet thelbësore demokratike Arbëri Ambasada amerikane: Sulmet ndaj gazetarëve shkelin parimet thelbësore demokratike

AGK-ja ka bërë thirrje për masa urgjente që të arrestohen përgjegjësit e të vihen para drejtësisë.

Brikenda Rexhepi, kryeredaktore e KOHËS, ka thënë se rasti i sulmit ndaj Sylës duhet ta alarmojë shtetin e shoqërinë.

“Ky është mentaliteti që po rritet midis dhomës e ne po bëjmë që s'po e shohim. Një drejtësi që nuk mbron ligjet e një arsim që nuk hapë mendjet do të na sjellin edhe më shumë dhunë ndaj fjalës dhe kjo nuk është e ardhmja që ia kemi dashur këtij vendi. Le të na hapë sytë sulmi i sotshëm ndaj Valonit. Le ta alarmojë shtetin e shoqërinë për ditët që po na presin!” ka shkruar ajo në Facebook.

Juristja e medias, Flutura Kusari, e ka cilësuar të frikshëm dhe tronditës rastin. Ajo ka thënë se autoritetet e shtetit kanë bërë pak e hiq për sigurinë e gazetarëve.

“Profesioni i gazetarit është profesion me rrezikshmëri tejet të lartë. Ky rast duhet të shërbejë që Qeveria ta trajtojë seriozisht dhe ta bëjë prioritet sigurinë e gazetarëve. Nuk duhet të priten ngjarje tragjike për të vepruar”, ka shkruar ajo në Facebook.


Kurti: Sulmi ndaj Sylës i papranueshëm 

Edhe Sot kërkohet paraburgim ndaj tre të dyshuarve për sulm ndaj gazetarit Syla Kronikë Sot kërkohet paraburgim ndaj tre të dyshuarve për sulm ndaj gazetarit Syla
Image

Sulmin ndaj Sylës e ka dënuar edhe kryeministri Albin Kurti. Ai në fillim të mbledhjes së Qeverisë që është mbajtur të mërkurën ka thënë se sulmi i mbrëmshëm ndaj gazetarit dhe opinionistit është i patolerueshëm dhe i papranueshëm.

“Mospajtimet në bindje dhe qëndrime nuk mund dhe nuk duhet të jenë shkas të sulmeve fizike. Në një shoqëri demokratike të cilët e prezantojmë dhe promovojmë me krenari nuk duhet të lejojmë asnjëherë që frika nga fjala e lirë të peshojë më shumë se sa liria e fjalës. Zotëri Sylës i urojmë shërim dhe rikuperim të shpejtë, ndërkaq nga institucionet kërkojmë që rasti të trajtohet me seriozitetin e duhur ashtu që autorët të sillën sa më shpejtë para drejtësisë”, ka theksuar Kurti.

Ndërsa kryeparlamentari Glauk Konjufca e ka cilësuar sulmin ndaj Sylës shkelje të rëndë të lirisë së shtypit dhe të të drejtave të njeriut. Ai ka thënë se ky rast s’mund të tolerohet në shoqëri demokratike.

“Ata kanë të drejtën e garantuar në Kushtetutën dhe ligjet e vendit tonë për të kryer detyrën e tyre profesionale pa frikë dhe pa ndonjë censure apo presion të jashtëm. Sulmi ndaj tyre është një krim i cili nuk përkon as me kulturën dhe as me traditën tonë shqiptare”, ka shkruar Konjufca në mbrëmjen e së martës.

Konjufca ka bërë thirrje për veprime të organeve kompetente për t’i sjellë autorët e sulmit para drejtësisë.

Për sulmin ndaj Valon Sylës ka reaguar edhe Ricardo Gutierrez, sekretar në Federatën Evropiane të Gazetarëve (EFJ).

Edhe Sveçla: Janë identifikuar sulmuesit e gazetarit Syla Arbëri Sveçla: Janë identifikuar sulmuesit e gazetarit Syla

“EFJEurope dënon fuqishëm sulmin fizik ndaj gazetarit Valon Syla. Ne i bëjmë thirrje policisë dhe prokurorisë të hetojë rastin dhe të sjellë fajtorët para drejtësisë”, ka shkruar Gutierrez në Twitter.

Është hera e dytë që Syla është sulmuar fizikisht.