Një grua ka vdekur dhe tre të tjerë janë lënduar në një aksident të ndodhur sot rreth orës 13:00 në autostradën “Ibrahim Rugova”, në kilometrin e 7-të, në drejtimin Prizren–Morinë, afër pikës kufitare me Shqipërinë.
Sipas njoftimit të Policisë, në aksident janë përfshirë një veturë e tipit VW Tiguan dhe një kamion Mercedes. Vetura ka goditur kamionin nga mbrapa si pasojë e pakujdesisë gjatë ngasjes.
Si pasojë e përplasjes, një grua, pasagjere në veturë, ka humbur jetën. Ajo ishte ulur në ulësen e pasme dhe ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ku mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e saj.
Të përfshirët e tjerë në aksident – shoferi i veturës, shoferi i kamionit dhe një pasagjer tjetër – janë jashtë rrezikut për jetë. Të gjithë janë shtetas të Shqipërisë.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet kompetente të Policisë dhe Prokurori kujdestar, me urdhërin e të cilit trupi i pajetë është dërguar për obduksion.
Policia u ka bërë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion që të respektojnë rregullat e trafikut dhe të tregojnë kujdes të shtuar, për të shmangur raste të tilla tragjike.