Kronikë

Shtyhet seanca gjyqësore të akuzuarit për vrasjen e të dashurës argjentinase në Fushë-Kosovë

Endrit Nika

Seanca gjyqësore ndaj të akuzuarit Endrit Nika, i cili po përballet me drejtësinë për vrasjen e të dashurës së tij argjentinase në Fushë-Kosovë, është shtyrë. 

Shtyrja e seancës u bë me kërkesë të mbrojtjes së të akuzuarit, e cila propozoi që në cilësinë e dëshmitares të dëgjohet edhe doktoresha e Ambulancës, Blerina Gashi. 

Trupi gjykues e aprovoi këtë kërkesë, ndërsa seanca e radhës pritet të caktohet në ditët në vijim.


I akuzuari për vrasjen e të dashurës argjentinase në Fushë-Kosovë del para Gjykatës

I akuzuari për vrasjen e të dashurës së tij argjentinase në Fushë-Kosovë, Endrit Nika është dërguar të hënën në Gjykatën Themelore, ku po përballet me drejtësinë për vrasjen e rëndë në gusht të vitit 2023.

Sipas aktakuzës së ngritur më 11 shkurt 2025 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Nika akuzohet se më 1 gusht të 2023-tës, pas një mosmarrëveshjeje me viktimën M.K-U., fillimisht e kishte goditur atë në mënyrë të vazhdueshme dhe kishte tentuar ta shkelë me veturë në parkingun e një hoteli në Fushë-Kosovë. 

Pas kësaj, të dy kishin hyrë në dhomën e hotelit ku po qëndronin, ku i akuzuari dyshohet se ka vazhduar dhunën fizike ndaj viktimës me qëllim që ta privojë nga jeta.

Aktakuza thekson se Nika e ka shtyrë dhe goditur viktimën deri në një qoshe të dhomës, duke ia pamundësuar largimin, dhe më pas ka nxjerrë kornizën e dritares, duke e hedhur atë nga dritarja e katit të gjashtë të hotelit. 

“Me ç’rast, tani e ndjera si pasojë e lëndimeve edhe përkundër trajtimit mjekësor ka ndërruar jetë në QKUK”, thuhet tutje në aktakuzë. 

Me këto veprime, Prokuroria e ngarkon Nikën me veprën penale “Vrasje e rëndë”. 

Në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur më 28 maj të këtij viti, i akuzuari është deklaruar i pafajshëm. 

Në seancën gjyqësore, përmes video-lidhjes, po marrin pjesë edhe familjarët e viktimës. Ndërkohë, i akuzuari ka kërkuar që gjatë procedurës gjyqësore t’i caktohet përkthyes i gjuhës gjermane, duke deklaruar se ka lindur dhe është rritur në Zvicër.