Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Edhe në rigjykim Endrit Nika deklarohet i pafajshëm për vrasjen e të dashurës argjentinase

endrit nika

I akuzuari për vrasjen e shtetases argjentinase (të dashurës së tij), Endrit Nika është deklaruar sërish i pafajshëm, pasi iu lexua aktakuza në nisje të seancës së rigjykimit.

Rasti po gjykohet nga trupi gjykues i përbërë nga Gazmend Bahtiri- kryetar, si dhe anëtarët Alltën Murseli dhe Gëzim Ademi.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 19 shkurt 2026, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Endrit Nikës, duke e dënuar me 18 vjet burgim. Por, Gjykata e Apelit ka aprovuar ankesën e mbrojtjes dhe e ktheu rastin në rigjykim.

Në seancën e 28 majit 2025, i akuzuari u deklarua i pafajshëm.

Sipas aktakuzës së ngritur më 11 shkurt 2025 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Endrit Nika akuzohet se më 1 gusht 2023 në një hotel në Fushë-Kosovë, pas një mosmarrëveshje paraprake me të dashurën e tij- tani të ndjerën M.K-U., të cilën paraprakisht e godet në vazhdimësi dhe tenton ta shkelë me veturë tek parkingu jashtë hotelit, dhe pasi që hyjnë në hotel- në dhomën ku ishin duke qëndruar, i pandehuri Nika me dashje që ta privojë nga jeta tani të ndjerën M.K-U ka vazhduar përleshjen dhe goditjet ndaj të dëmtuarës, duke e dërguar në qoshe të dhomës nga ku nuk ka pasur mundësi të largohet dhe nga goditjet dhe shtyrjet që i ka bërë tani të ndjerës M. K-U., e ka nxjerrë kornizën e dritares duke e hedhur të ndjerën nga dritarja e dhomës së hotelit nga kati i gjashtë. Me ç’rast, tani e ndjera si pasojë e lëndimeve edhe përkundër trajtimit mjekësor ka ndërruar jetë në QKUK.

Me këtë, i akuzuari Endrit Nika ngarkohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, par.1, pika 1.3 të Kodit Penal.