Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Endrit Nika dënohet me 18 vjet burgim për vrasjen e të dashurës argjentinase

Magdalena Urdangaray

Magdalena Urdangaray, nëna e Claras, vajzës argjentinases që u vra nga Endrit Nika

Me 18 vjet burgim është dënuar Endrit Nika, i akuzuar për vrasjen e të dashurës së tij argjentinase, në një hotel në Fushë-Kosovë në gusht të 2023-tës. Sipas aktakuzës, Nika ushtroi dhunë ndaj viktimës edhe në dhomë, derisa në një moment e hodhi atë nga dritarja e katit të gjashtë të hotelit ku po qëndronin

Duke e shikuar në fytyrë vrasësin e vajzës së tyre, prindërit e Maria Clara Urdangaray brohoritën për drejtësi, teksa Endrit Nika po largohej nga salla e gjyqit, pasi u dënua me 18 vjet burg.

Vendimi për të akuzuarin u mor nga trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Gazmend Bahtiri, i cili tha se Gjykata pas administrimit të provave materiale dhe personale, gjeti përtej dyshimit të bazuar mirë se veprimet e të akuzuarit përmbushin elementet objektive dhe subjektive të veprës penale “Vrasje e rëndë”.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Vendimi i Gjykatës nuk u mirëprit nga familjarët e të akuzuarit Nika.

Por, për dallim nga ta, vendimin e Gjykatës e mirëpritën familjarët e Maria Clara Urdangaray.

Nëna e së ndjerës tha se vajza e saj e mori drejtësinë, për çka falënderoi edhe institucionet e drejtësisë në Kosovë.

“Sot Maria Calara Urdangaray mund të pushojë në paqe, pavarësisht të gjitha vështirësive. Ka qenë vështirë që nga fillimi për ta rikthyer, por ne gjithmonë kemi besuar në drejtësinë e Kosovës. E vlerësojmë gjithmonë punën e prokurorit, që gjithmonë është përkushtuar për të treguar të vërtetën, Armend Hamiti, dhe sot e ka dëshmuar angazhimin e tij. Me të gjitha provat e ka mbështetur të vërtetën. Klara e ka marrë drejtësinë dhe i falënderojmë të gjitha autoritetet e Kosovës për këtë drejtësi”, ka thënë Urdangaray.

E babai i të ndjerës tha se asgjë nuk mund ta ngushëllojë vdekjen e vajzës së tij.

“Vajza jonë vazhdon të jetë e vdekur. Asgjë nuk mund të na ngushëllojë, ndërsa ai vazhdon të jetojë. Vajza jonë ka përfunduar e vrarë në formën më brutale”, ka thënë Facundo Urdangaray.

Kritika për vendimin e Gjykatës pati mbrojtja e të akuzuarit Endrit Nika, avokati Drilon Imeri.

Ai ka paralajmëruar se do ta apelojnë vendimin e Themelores.

“Sot u vërtetua se në Kosovë ende nuk ka siguri juridike dhe se lehtësisht merren vendime të gabuara gjyqësore, të cilat mund të ndikojnë në jetën e shumë personave. Sot u shpall fajtor një i pafajshëm; sot u vendos për fajësinë e një personi pa asnjë provë të drejtpërdrejtë materiale apo personale që do ta vërtetonte, përtej çdo dyshimi, se i akuzuari ka kryer veprën penale. Sot u vendos mbi baza të tjera, por jo mbi baza ligjore dhe as mbi gjendje faktike. Sapo ta pranojmë këtë aktgjykim, patjetër që do të paraqesim ankesë dhe besoj plotësisht se ky aktgjykim nuk do të qëndrojë”, ka thënë avokati Imeri.

Endrit Nika akuzohej se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”, pasi në gusht të 2023-tës, pas një mosmarrëveshjeje paraprake me tani të ndjerën Maria Clara Urdangaray, e kishte goditur dhe hedhur të ndjerën nga dritarja e dhomës së një hoteli në Fushë-Kosovë, nga kati i gjashtë.