Gjykata e Apelit ka dëgjuar ankesat e palëve në rastin ku Endrit Nika akuzohet për vrasjen e partneres së tij, Maria Clara Urdangaray. Organi i akuzës ka kërkuar ashpërsim dënimi, njëjtë sikurse edhe familja e viktimës, e mbrojtja e të akuzuarit ka kërkuar lirimin e tij, me pretendimin se faji është te struktura e dobët e hotelit ku ka qëndruar çifti në ditën kritike. Në shkallë të parë, Nika është dënuar më 18 vjet burgim
Familja e viktimës Maria Clara Urdangaray dhe Prokuroria e Shtetit, kanë kërkuar ashpërsim dënimi për Endrit Nikën, i dënuar në shkallë të parë për vrasje të rëndë të argjentinases, ndërsa mbrojtja e të pandehurit ka kërkuar lirimin e tij, në seancën e së hënës në Gjykatën e Apelit në Prishtinë.
Në Apel janë shqyrtuar ankesat ndaj vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin Nika është dënuar me 18 vjet burgim për vrasjen e shtetases argjentinase në Fushë-Kosovë më 2023.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoGjyqtari referues, Mentor Hajraj, ka bërë të ditur se të gjitha palët kanë paraqitur ankesë lidhur me aktgjykimin dënues.
“Kundër këtij aktgjykimi në afat ligjor ka paraqitur ankesë, prokuroria themelore në Prishtinë – departamenti për krime të rënda, vetëm me propozim që Gjykata e Apelit ta miratojë ankesën si të bazuar dhe aktgjykimin ta ndryshojë vetëm sa i përket vendimit për dënim dhe dënimi të ashpërsohet në proporcion me seriozitetin ekstrem të veprës penale, shkallën e lartë të fajësisë dhe pasojat e shkaktuara”, ka thënë Hajraj.
Betim Shala, avokat i familjes së viktimës ka listuar disa arsye në ankesën e tij, ndër të cilat ka përmendur dëmin e pariparueshëm, moszbatimin e Konventës për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Grave si dhe të Konventës së Stambollit.
Shala ka argumentuar se Apeli duhet të japë dënim shembull për këtë rast që, sipas tij, është klasik i femicidit.
“Sjellja e keqe pas kryerjes së veprës dhe tentimi për korrupsion: Gjatë zhvillimit të procedurës, familjarët e të akuzuarit kanë tentuar të ndikojnë përmes ryshfetit tek organet e prokurorisë dhe gjykatës. Kjo tentativë dëshmon mungesë të plotë të pendesës shoqërore, mospërfillje të hapur ndaj sistemit të drejtësisë dhe tendencë për t'i ikur përgjegjësisë. Kjo rrethanë duhet të asgjësojë plotësisht çdo efekt të rrethanës lehtësuese të pastërtisë penale të të akuzuarit. Ekzistenca e Femicidit dhe rrezikshmëria e lartë shoqërore: Vepra e kryer përbën një rast klasik të femicidit – vrasjes së gruas për shkak të gjinisë së saj, e paraprirë nga dhuna fizike”, thuhet në ankesën e familjes së viktimës.
E Tomë Gashi, avokati i familjes së të akuzuarit Endrit Nika, ka kërkuar lirimin e të pandehurit duke argumentuar se vdekja e Maria Clara Urdangaray ka ndodhur aksidentalisht pasi ajo është mbështetur në kornizat e dobëta të dritareve të një objekti që ishte ndërtim pa leje.
“Arsyeja e vdekjes nuk është klienti im, por pronari i hotelit, pasi hoteli për shkak të ndërtimit në kundërshtim me rregullat, bie dritarja me gjithë kornizë. Pra, përgjegjësia duhet t’i vishet vetëm pronarit të hotelit”, ka thënë Gashi.
Ai ka thënë se e ka angazhuar një ekspert, ekspertiza e të cilit sipas tij, ka dëshmuar të kundërtën nga ekspertizat e administruara në gjykim.
“Një vajzë e re ka vdekur dhe një djalë i ri është dënuar padrejtësisht”, ka thënë Gashi.
Gashi ka thënë se pronarin dhe menaxherin e hotelit i ka denoncuar me kallëzime penale në Prokurorinë Themelore në Prishtinë.
Maria Clara Urdangaray vdiq pasi ra nga kati i gjashtë i një hoteli në Fushë-Kosovë, ku po qëndronte me partnerin e saj Endrit Nika në ditën tragjike.
Nëna e saj, e cila pati ardhur nga Argjentina për gjykimin i pati falënderuar institucionet e Kosovës duke u shprehur se Clara e ka marrë drejtësinë.
Rasti pati nxitur reagime të mëdha në opinionin publik.