Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka publikuar të premten listën e personave të arrestuar gjatë protestës, që sipas tij, nuk janë studentë por i përkasin një kategorie tjetër.
Ai ka publikuar këtë listë me inicialet e të përfshirëve, që sipas tij, kanë precedentë të mëparshëm.
Rama në një adresim online ka thënë se përshkallëzimi i dhunës gjatë protestave është përgatitur prej disa muajsh, pasi Policia e Shtetit ka të dhëna për futjen në Shqipëri të maskave dhe lëndëve eksplozive.

“Qysh në krye të herës protesta ishte e influencuar rëndë nga forcat tjera, ka qenë një fakt që në këtë valë të dytë dhe të dhunshme është evidentuar në të gjithë përmasën e vet. Përshkallëzimi është përgatitur për disa muaj. Të dhënat e futjes në Shqiëri të maskave, ëndëve eksplozive përmes Doganës dhe subjekte të caktuara janë tanimë në duart e Policisë së Shtetit”, ka thënë Rama.
Sipas Ramës, autoritetet kanë të dhëna edhe për persona që, sipas tij, kanë marrë pjesë në akte dhune të financuara nga krimi i organizuar dhe forca të huaja.
“Tani do të ndajë me ju pamje që me siguri do të tronditin shumëkënd për arsye të konfidencialitetit është ruajtur identiteti i personave në respekt të ligjit, e të gjithë personat që do të shihni janë subjekt i Policisë së Shtetit dhe drejtësisë shqiptare. Janë të gjithë persona të ndaluar në protestat e dhunshme dhe nuk janë studentë, janë diçka tjetër, nuk i përkasin dhe nuk kanë asnjë lidhje me të gjithë ata studentë që nuk i janë bashkuar kësaj dallge terrori urban”, ka thënë ai.
Edhe
Rama: Të gjithë ata që kryen dhunë do ta kenë hijen e shtetit pas deri kur ta shlyejnë dëmin
Duke përmendur disa nga këta të dyshuar, të përfshirë në protesta, Rama ka përmendur se ka nga ta që kanë precedentë penalë edhe për vetëgjyqësi, mashtrim, fshehje të ardhurash, e marrje financimesh nga fonde të Republikës Khomeiniste të Iranit.
VIDEO:
Vazhdojnë protestat në Shqipëri
-
Rama: Janë plagosur më shumë policë sesa protestues
-
Rama: Protestuesit e maskuar nuk janë studentë, por njerëz që adhurojnë dhunën
-
Rama fajëson "duart e huaja" për protestat në Shqipëri: Kjo që po ndodh s’është rastësi
-
Protesta e të enjtes në Tiranë kryesisht e qetë, Rama sërish bëri thirrje për dialog