Kronikë

Hetohet edhe drejtori i shkollës “Pavarësia” për dhunë ndaj nxënësit

Shkolla Pavaresia

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka zgjeruar hetimet edhe ndaj drejtorit të shkollës fillore “Pavarësia” në Prishtinë.

“Betimi për Drejtësi” ka publikuar një video ku shihet drejtori i shkollës duke e goditur nxënësin. 

Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinë, Kaltrina Shala, ka konfirmuar për “KOHËN” se kanë nisur hetimet. 

“Ju njoftojmë se lidhur me dhunën ndaj nxënësit, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka zgjeruar hetime edhe ndaj drejtorit të shkollës ‘Pavarësia’. Hetimet ndaj tij zhvillohen në drejtim të veprës penale ‘keqtrajtim i detyrës zyrtare’”, ka njoftuar Shala. 

Një mësues u ndalua nga Policia të hënën për dhunë ndaj nxënësit. Atij të mërkurën i është caktuar masa e paraqitjes në stacion policor. 

Psikologu i shkollës Nazmi Mahmuti kishte thënë se ndaj mësuesit fillimisht kishin ushtruar dhunë dhjetë nxënës. E të martën mësimdhënësit e shkollës bojkotuan dy orët e para të mësimit duke protestuar për dhunën ndaj tyre. 

Drejtori i Arsimit në Komunën e Prishtinës, Samir Shahini, ka thënë se është në pritje të një raporti të detajuar nga drejtoria e shkollës për të ndërmarrë masa.

“Ende nuk kemi masa duke qenë se raporti është në pritje të vjen nga drejtoria e shkollës. E rëndësishme është që aktualisht mësimdhënësin nuk e kemi fizikisht në shkollë. Edhe po të ishte i lirë nga institucionet e drejtësisë, i njëjti do të qëndronte larg procesit mësimor në suspendim të menjëhershëm derisa të qartësohen rrethanat”, ka thënë Shahini.