Prokuroria Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e ndalimit prej 48 orësh ndaj një mësimdhënësi të shkollës “Pavarësia” në kryeqytet, i cili dyshohet se ka sulmuar një nxënës.
Këtë për KOHËN e ka konfirmuar kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi, duke bërë të ditur se rasti është iniciuar për veprën penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Në bazë të urdhrit të prokurorit kujdestar është ndaluar personi, d.m.th arsimtar, në kohëzgjatje prej 48 orësh. Prokurori i shtetit është duke i ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme hetimore konform dispozitave të ligjit në fuqi”, ka thënë zëdhënësja e Prokurorisë Kaltrina Shala.
Ngjarja dyshohet se ka ndodhur të hënën, kur mësimdhënësi është përfshirë në një konflikt fizik me një nxënës të shkollës.
Ndërkohë, KOHA ka tentuar të marrë një koment edhe nga drejtori i shkollës “Pavarësia”, Halil Brahaj, mirëpo ai nuk ka qenë i qasshëm.
Psikologu në shkollën “Pavarësia”, Nazmi Mahmuti, ka shpjeguar për “KosovaPress” se si ka ndodhur rasti.
Ai ka thënë se nxitësi kryesor i dhunës ishte nxënësi dhe se “në mënyrë të organizuar me shokët sulmuan profesorin në sallën e arsimtarëve”.
“Deri sa ishte duke punuar, nxënësi në fjalë me inicialet A.O e ka fyer me gjuhë të papërshtatshme. Mësimdhënësi provoi ta largojë dhe ta neutralizojë situatën. Pas kësaj, ai kishte hyrë në sallën e arsimtarëve të pinte kafen e pauzës, nxënësi i cili u largua në atë moment kishte thirr edhe 9 nxënës tjerë, vet i 10-i hyri në sallën e arsimtarëve dhe sulmoi personin në fjalë. Të gjithë ata sulmuan arsimtarin, ai mundohej të mbrohej në mënyra të caktuara. Videoja e publikuar është fundi i skenarit, ku nxënësit në skaj incizuan rastin”, thekson Mahmuti.
Psikologu Mahmuti ceku se ky rast ishte “maja e ajsbergut”, pasi që nxënësi në fjalë ishte një person i njohur si i “pamenaxhueshëm për këtë shkollë”.
“Është një nxënës që ka qenë i pamenaxhueshëm. Kemi pasur kontakte intenzive me prindër që të stabilizohet nxënësi me shkollë. Mirëpo, as fokusi i psikologut nuk ka mundur të ndikojë pozitivisht në situatën. Kjo ka qenë ‘maja e ajsbergut”, thekson ai.
Mahmuti pretendon se çështja paraqet problem, për shkak se kishte ndodhur në një vend ku nuk ka kamera.
“Ata iu kanë shmangur vendeve ku kanë kamera, janë futur në sallën e arsimtarëve”
Hetimet lidhur me këtë rast janë duke vazhduar.
Të hënën është publikuar një video nga mediumi Kallxo.com, ku shihet se në ambientet brenda shkollës ka ndodhur përleshja fizike.