Njëri dëshmitar ka munguar në seancën për rastin e vrasjes së politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq.
Sipas gjykatës dëshmitari nuk gjendet në Kosovë.
"Kemi kërkuar informacion preliminar edhe nga policia në veri, mirëpo kemi marrë informatën se nuk është në Kosovë, mirëpo do të përpiqemi ta marrim një konfirmim me shkrim", ka thënë kryetari i trupit gjykues Valon Kurtaj.
Gjykimi po zhvillohet me dëshminë e dëshmitarit tjetër, Stanko Axhiq, i cili ka deklaruar se ka pasur marrëdhënie të afërta e takime të shpeshta me Ivanoviqin.
Për vrasjen e Ivanoviqit akuzohen Nedeljko Spasojeviq, Marko Roshiq, Rade Basara dhe Silvana Arsoviq. Së fundmi për rastin u arrestua edhe M.M. që gjendet në paraburgim. Disa të dyshuar të tjerë janë në arrati.
Ivanoviq ishte vrarë në janar të 2018-s, para selisë së partisë së tij në Mitrovicën e Veriut.