Shqyrtimi gjyqësor i planifikuar për të mërkurën për rastin e vrasjes së politikanit serb, Oliver Ivanoviq, nuk është realizuar shkaku i mungesës së dëshmitares Milena Popoviq. Për këtë arsye, gjykata u detyrua të marrë vetëm vendime procedurale. Seancat e radhës janë caktuar për 22 e 23 shkurt
Dëshmitarja Milena Popoviq, ish-partnerja e politikanit serb Oliver Ivanoviq që është vrarë në veri, nuk u paraqit të mërkurën në seancën e mbajtur në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Për këtë dëshmitare kryetari i trupit gjykues, Valon Kurtaj, ka thënë se do të bëjë përpjekje përsëri për ta ftuar.
“Meqenëse nuk e kemi këtë dëshmitar do ta caktojmë edhe një datë ose dy data, do t’ia dërgojmë edhe një herë ftesën në qoftë se vjen në seancën që e caktojmë. Në qoftë se jo, do ta lexojmë deklaratën e saj dhe do të ecim në fazat e tjera të procedurës”, ka thënë Kurtaj.
Në nëntor të 2022-s, gjykata kishte thënë se ka shkëmbyer e-maile të shumta me Popoviqin për ta caktuar një ditë të përshtatshme për dëshminë e saj dhe se ia ka dërguar mbi 20 ftesa.
Milena Popoviq është anëtarësuar në SNS, partinë e presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiq dhe nga 2020-a deri në fund të 2022-s ka qenë deputete e Kuvendit të Serbisë. Së fundi, është raportuar se ajo ka marrë postin e sekretares së shtetit në Ministrinë e Turizmit dhe Rinisë.
“Është anëtare e Bordit Ekzekutiv të Partisë Përparimtare Serbe. Flet anglisht”, shkruhet ndër të tjera në përshkrimin e saj në faqen zyrtare të ministrisë, në përshkrimin e Popiviqit, ku figuron e dyta prej tre sekretarëve të ministrisë.
Në seancë, trupi gjykues miratoi kërkesën e mbrojtësit të të akuzuarit Nedeljko Spasojeviq për dëgjimin e pesë dëshmitarëve, katër ish-policë serbë të dorëhequr e një tjetër në detyrë.
Nebojsha Qamilloviq, Goran Zhivkoviq, Predrag Jevxhiq, Jovan Arsiq e Nexhmedin Isufi, sipas avokatit Faruk Korenica ishin në ndërrim në ditën kur u vra Ivanoviqi, dhe duhet të thirren të dëshmojnë në të njëjtat seanca me dëshmitaren Popoviq.
“Gjykata do të tentojë që këta dëshmitarë t’i ftojë dhe të dëgjohen këta dëshmitarë, mirëpo në qoftë se nuk do të mund t’i sigurojë ndonjërin prej tyre, gjykata do ta rikonsiderojë vendimin që të mos prolongohet çështja penale”, ka thënë ai.
Shumica e seancave të parapara për këtë rast janë mbajtur gjatë vitit të kaluar, derisa të rralla ishin ato që u mbajtën gjatë 2021-s.
Në muajin mars të këtij viti, sipas trupit gjykues pritet të përfundojë procesi lidhur me intervistimin e dëshmitarëve dhe me provat materiale, e më pas do të bëhet shpalosja e argumenteve të mbrojtjes.
Sipas aktakuzës së ngritur më 2020, të dyshuar kryesorë për organizimin e vrasjes së Ivanoviqit janë nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, si dhe Zvonko Veselinoviq. Të dy janë të përfshirë në listat e zeza të Thesarit Amerikan dhe të Shërbimit të Jashtëm të Britanisë së Madhe.
Në kërkim, sikurse Radojçiq e Veselinoviq, është edhe Zheljko Bojiq. Ata dyshohen se si grup i organizuar e i strukturuar kanë kryer veprime inkriminuese që çuan në vrasjen e Ivanoviqit, me qëllim “të shtrirjes së kontrollit në pjesën veriore të Mitrovicës, si në jetën politike e ekonomike dhe veprimtarisë së përgjithshme të krimit të organizuar”.
Po ashtu, Prokuroria Speciale ngarkon ish-sekretaren e subjektit politik të Ivanoviqit, Silvana Arsoviq, dhe ish-policët Nedeljko Spasojeviqin, Marko Roshiqin e Rade Basaran me pjesëmarrje në grup të organizuar kriminal lidhur me veprën penale: vrasje e rëndë.
Arsoviqi dyshohet që ka hequr nga priza kamerat në zyrën e partisë ku punonte për ta lehtësuar vrasjen; Roshiq se e ka përcjellë vazhdimisht të ndjerin me veturën e tij; Basara se ka manipuluar me prova dhe që s’i ka kryer detyrat hetimore; Spasojeviq se ka vozitur me veturë vrasësit e paidentifikuar të Ivanoviqit.
E Zharko Jovanoviq e Dragisha Markoviq akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
“Më 16/01/2018, të pandehurit Dragisha Markoviq dhe Zharko Jankoviq, në cilësi të personave zyrtarë, kanë shpërdorur detyrën e tyre duke mos i kryer detyrat e domosdoshme të përcaktuara me ligj, në atë mënyrë që pas vrasjes së Oliver Ivanoviqit, kanë dalë në vendin e ngjarjes, nuk kanë siguruar vendin e ngjarjes, duke lënë personat e tjetër që të ndërhyjnë në atë hapësirë, si dhe të njëjtit, me qëllim që t’i bëjnë të pashfrytëzueshme provat në procedura zyrtare, kanë manipuluar me to, duke i hequr dhe fshehur ato”, thuhet në aktakuzë.
Njërin prej tyre, me inicialet M.M, Policia e arrestoi në nëntor të vitit të kaluar. Për të është duke u zhvilluar proces gjyqësor i ndarë prej të akuzuarve të tjerë.
Në aktakuzë përmenden edhe persona të panjohur.
“I pandehuri Nedeljko Spasojeviq duke vepruar si anëtar i grupit kriminal ka ndihmuar në kryerjen e veprës penale vrasje e rëndë, ka bashkëpunuar ngushtë me të dyshuarit e panjohur që të kryejnë vrasjen e tani të ndjerit Oliver Ivanoviq, me ç’rast me dashje e dijeni i ka ndihmuar të dyshuarit të panjohur në kryerjen e veprës penale vrasje e rëndë ashtu që i njëjti fillimisht ua ka mundësuar të dyshuarve të lëvizin me veturën zyrtare të policisë të markës Golf IV, karavan, më pas i ka dërguar të njëjtit tek vetura Opel ‘Astra’, ngjyrë e kaltër, nga e cila veturë është shtënë në të ndjerin Oliver Ivanoviq”, shkruhet ndër të tjera në aktakuzë.
Ivanoviq u vra para selisë së partisë së tij në Mitrovicë të Veriut, më 16 janar 2018. Seancat gjyqësore të radhës janë caktuar për datat 22 e 23 shkurt.