Kronikë

Shtyhen dy seanca për rastin e vrasjes së Ivanoviqit

Seancat e planifikuara për të mërkurën e të enjten për rastin e vrasjes së politikanit serb, Oliver Ivanoviq janë shtyrë.

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë kanë thënë se arsyeja e shtyrjes është kërkesa e avokatit Faruk Korenica për shtyrje shkaku që dëshmitarët të cilët i ka propozuar të dëgjoheshin për këto seanca nuk ka mundur t'i sigurojë për të dëshmuar.

Gjykimi në këtë rast ka disa herë që po shkon duke u zvarritur. Seancat janë shtyrë në disa raste.

Herën e kaluar seanca ishte shtyrë më 10 janar po ashtu me kërkesë të Korenicës. Ai i pati fajësuar gjyqtarët se kanë caktuar seanca në kohën e njëjtë e në mënyrë të pakoordinuar. Gjykata Themelore në Prishtinë u pat përgjigjur se shtyrja është bërë shkaku i avokatit.

“Lidhur me këtë çështje fillimisht ju njoftojmë se nuk ka të bëjë me moskoordinim të gjykatës. Mbrojtësi i njërit prej të akuzuarve ka pasur seancë tjetër, për të cilën ka kërkuar shtyrjen e seancës. Shtyrjen e seancës e ka kërkuar me shkrim me datë 23 dhjetor 2022, pasi që ka qenë e paracaktuar seanca nga seanca e fundit e mbajtur”, ka thënë për KOHËN Mirlinda Gashi zëdhënësja e Themelores në Prishtinë.

Oliver Ivanoviq u vra më 16 janar 2018, para zyrës së partisë që udhëhiqte në Mitrovicë të Veriut.

Të dyshuar kryesorë për organizimin e vrasjes së Ivanoviqit janë nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, biznesmeni i përfolur për lidhje me krimin Zvonko Veselinoviq, si dhe ish-shefi i Policisë për veri, Zheljko Bojiq. Në aktakuzën për rastin e Ivanoviqit, po gjykohen Silvana Arsoviq, Marko Roshiq, Nedeljko Spasojeviq, Rade Basara, Zharko Jovanoviq e Dragisha Markoviq. Ditë më parë, atyre iu ndërprenë të gjitha masat e sigurisë.