LAJMET E MBRËMJES

Dështon seanca ndaj të akuzuarve për prishjen e hetimit të vrasjes së Ivanoviqit

Është shtyrë seanca fillestare ndaj Milan Mihajloviqit, i cili akuzohet për prishjen e hetimit për rastin e vrasjes së politikanit serb, Oliver Ivanoviq. Mihajloviqi akuzohet për veprat penale: “Pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal të organizuar”, “Pengimi i të provuarit apo procedurës zyrtare”, “Kanosje” dhe ‘’Falsifikimi i dokumenteve”

Ka dështuar seanca fillestare në Gjykatën Themelore në Prishtinë në rastin ku ish-polici i Kosovës, Milan Mihajloviq, akuzohet për prishjen e hetimit për rastin e vrasjes së politikanit serb, Oliver Ivanoviq.

Në aktakuzën e ngritur në dhjetor të 2023-s, Prokuroria Speciale pretendon se Mihajloviqi ka kryer katër vepra penale. Sipas organit të akuzës, mes të tjerash, ai ka kanosur personat zyrtarë që kanë zhvilluar procedurë penale ndaj tij.

Seanca ka dështuar pasi avokati Predrag Milkoviq, i cili e zëvendësonte avokatin Miodrag Bërklaç, që mungoi shkaku i gjendjes jo të mirë shëndetësore, e shprehu brengën e mospajisjes së mbrojtjes me prova. Para vendimit gjyqtari pyeti prokurorin për këtë rrethanë.

“Gjykata ju pyet juve se a keni prova me të cilat dëshmoni para gjykatës se ju mbrojtësin e të akuzuarit e keni pajisur me prova, ashtu siç të obligon Kodi i Procedurës Penale”, ka pyetur gjyqtari Lutfi Shala.

“Ne si në çdo rast tjetër, nuk është praktikë e prokurorisë që provat t’ua dërgojmë në adresë avokatëve, sepse ne e dimë se z. Bërklaç punon edhe brenda Kosovës, edhe në territorin e Republikës së Serbisë, kështu që... është e vërtetë që provat nuk i ka pranuar. Provat kanë qenë gati për avokatin që nga data 27.12.2023”, ka thënë prokurori Burim Qerkini.

Ky shpjegim s’e bindi gjyqtarin për ta vazhduar seancën. Me kërkesë të avokatit, ai vendosi ta shtynte seancën.

“Gjykata nuk mund të lëshohet më tutje pa i pasur mbrojtja të gjitha provat sipas aktakuzës dhe ta ketë aktakuzën dhe t’i ketë të gjitha të qarta. Në rrethana të tilla, gjykata nuk mund të lëshohet më tutje në këtë shqyrtim”, ka thënë gjyqtari Shala.

Mihajloviqi akuzohet për veprat penale “Pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal të organizuar”, “Pengimi i të provuarit apo procedurës zyrtare”, “Kanosje” dhe ‘’Falsifikimi i dokumenteve”, të kryera gjatë hetimit për vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq.

Për vrasjen e kryer në 2018-n është duke u zhvilluar edhe një proces tjetër gjyqësor ndaj 5 ish-policëve, si dhe ndaj një ish-zyrtareje të subjektit politik të Ivanoviqit. Ata akuzohen për ndihmë në vrasje dhe për pengim të hetimit.