Futboll

Zhegrova në pritje të rastit, mungesa e gjatë po e penalizon

Edon Zhegrova

Ndeshja e Kosovës me Suedinë, e luajtur më 13 tetor, është e fundit në të cilën është aktivizuar Edon Zhegrova. Te Juventusi thanë se Zhegrova u kthye i lënduar nga grumbullimi me Kosovën. Për shkak të lëndimit, që e ka munduar për gati një vit, ai mungoi në ndeshjen ndaj Comos më 19 tetor. Ndaj Real Madridit më 22 tetor në Champions qëndroi në stol. Në stol ishte edhe në humbjen 1:0 nga Lazio, më 26 tetor.

Ndërkohë Igor Tudor u shkarkua nga posti i trajnerit të Juventusit, por situata e Zhegrovës nuk ka ndryshuar. Të paktën jo deri më tani. Me trajner të përkohshëm, Juventusi fitoi 3:1 ndaj Udineses në mesjavë. Ndërkohë me trajnerin e ri, Luciano Spallettin, të shtunën Juventusi fitoi 2:1 ndaj Cremoneses. Por sërish sulmuesi i Kosovës ishte vetëm në stol.

Zhegrova ishte vetëm në stol edhe në dy ndeshjet e Juventusit para grumbullimit me Kosovën, ndaj Villarrealit më 1 tetor dhe ndaj Milanit më 5 tetor. Së fundi për skuadrën italiane është aktivizuar më 27 shtator ndaj Atalantas.

26-vjeçari ishte transferuar me bujë në fund të afatit kalimtar të verës nga Lille te Juventusi. Juve e transferoi, ndonëse për shkak të telasheve në ije, përkatësisht në pjesën e poshtme të barkut, Zhegrova nuk kishte luajtur që nga 14 dhjetori i vitit të kaluar.

Ai debutoi te Juventusi më 16 shtator në barazimin 4:4 me Dortmundin në Champions. Ndonëse luajti pak, bëri gjëra të mira në fushë dhe dha shenja se do të jetë i vlefshëm. Më pas luajti ndaj Veronas në Serie A më 20 shtator dhe ndaj Atalantas më 27 shtator.

Me Kosovën nuk u grumbullua në shtator, ndërsa në tetor luajti si zëvendësues. Pak minuta mori me Slloveninë në Prishtinë, derisa ndaj Suedisë në Goteborg luajti nga minuta e 71-të.

Tashmë ish-trajneri i Juventusit, Igor Tudor, kishte thënë pak para largimit se Zhegrova ka pasur telashe të përballojë një stërvitje me ngarkesë më të madhe.

“Edoni erdhi pas një viti pa ndeshje. E kemi aktivizuar dy herë, ndërsa kur u kthye nga përfaqësuesja, ai është dashur të ndalet pas një stëvitje që kishte ngarkesë më të madhe se zakonisht. Për fat të keq ai e ka këtë problem: sa herë që dëshiron të shtyjë, fillon sërish. Duhet të jemi të kujdesshëm me të, ta ushtrojmë në mënyrën e duhur. Nuk e di kur do të kthehet në formë. Momentalisht mund të na ndihmojë në 20 apo 30 minutat e fundit. Por është e pamundur të luajë si startues”, kishte thënë Tudor para ndeshjes me Lazion.

Të martën Juventusi luan me Sportingun në Champions. Më 8 nëntor e zhvillon derbin lokal me Torinon në Serie A.

Më pas janë ndeshjet vendimtare të Kosovës, me Slloveninë dhe Zvicrën.

Mbetet të shihet nëse ai do të grumbullohet apo do të ketë kohë për pushim që ndoshta i duhet. Gjendja aktuale nuk duket shumë premtuese sa i takon ndeshjeve të këtij muaji me Kosovën, ndonëse cilësitë e Zhegrovës janë të pakontestueshme.

Optimizmin te Zhegrova dhe mbështetësit e Kosovës mund ta rritë fakti që ai tani për trajner e ka Spallettin, që e kishte kërkuar sa ishte te Napoli. Lojtarët e krahut zakonisht shkëlqejnë me Spallettin, por për Zhegrovën prioritet është kthimi në gjendjen më të mirë fizike.