Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Juve bëhet gati për Evropë, por pa Zhegrovën

Edon Zhegrova

Pas disfatës nga Sassuolo në Serie A, Juventusi është duke u bërë gati për fillimin e edicionit në Ligën e Evropës. 

Juventusi të enjten nga ora 21:00 luan në shtëpi me NEC Nijmegenin holandez. Trajneri Luciano Spalletti është kritikuar shumë pas disfatës 3:2 në elitën italiane nga Sassuolo. Ai është kritikuar edhe për lënien në stol të Zhegrovës. Dhe pikërisht për futbollistin e Kosovës, Spalletti ka folur të mërkurën në konferencën për shtyp. 

Zhegrova ndaj Sassuolos i realizoi dy golat e parë me Juven. Tani është në konkurrencë me Francisco Conceicaon për një vend në krahun e djathtë të sulmit. Spalletti e pëlqen portugezin, ndërsa të mërkurën ka krahasuar cilësitë e të dy lojtarëve. 

“Mendoj se është gabim të mendohet se njëra garë është më e lehtë se tjetra për të korrur sukses. Liga e Evropës është garë ndryshe dhe do të përballemi me ekipe të forta. Është rruga jonë dhe duhet të përballemi me të. Zhegrova apo Conceicao? Të dy kanë kualitete ndryshe, të dy sulmojnë mirë. Por, unë jam ai i cili duhet t’i përshtatem mënyrës se si ata lëvizin për ta ndihmuar sulmin. Për mua, nuk ka shumë diferencë mes të dyve”, ka deklaruar Spalletti të mërkurën. 

Juventusi është goditur nga lëndimet në fillim të edicionit. Ndaj Sassuolos, Juventusi i kishte nëntë mungesa. 

Me mungesa, Juventusi do të jetë edhe në Ligën e Evropës. Zhegrova nuk është pjesë e listës për garën evropiane, por Juventusi ka shqyrtuar mundësinë e kthimit të tij. 

Por, çka thotë rregulli i ndryshimit të skuadrës për garat evropiane? 

Juventusi e publikoi listën për Ligën e Evropës më 2 shtator. Kjo listë do të mbetet deri në muajin janar, kur përfundon faza e ligës. Afati i radhës për klubet që të regjistrojnë tre lojtarë të rinj është 4 shkurti.

Deri kur të përfundojë faza e ligës, klubet mund ta bëjnë përkohësisht vetëm një zëvendësim në listë, nëse dikush është i lënduar apo i sëmurë për të paktën 60 ditë. 

“Tuttosport” ka shkruar të mërkurën se Juventusi e kishte konsideruar zëvendësimin e Jeremie Bogas me Edon Zhegrovën. Por, lëndimi i Bogas mund të zgjasë më pak se 60 ditë dhe kjo do të thotë se Juve nuk mund ta zëvendësojë atë. 

Pavarësisht paraqitjes së mirë në fundjavë, mediumet në Itali raportojnë se Zhegrova pritet të largohet në janar nga Juventusi.

Listës së ekipeve të interesuara për transferimin e Edon Zhegrovës i është shtuar edhe Como, që drejtohet nga trajneri spanjoll, Cesc Fabregas.

Më herët ishte bërë e ditur se Atalanta është e interesuar për kosovarin.

Como paraqitet në Ligën e Kampionëve.

Kontrata me Juventusin, Zhegrovës i skadon në verën e vitit 2030.