Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Shteti planifikon afro 200 mijë euro investim në Përmendoren e Minatorëve

Përmendorja e Minatorëve

Monumenti përbëhet nga tri pjesë kryesore: dy shtylla të mëdha betoni, me formë konike dhe me brazda vertikale, si dhe një strukturë horizontale mbi ato, e cila të kujton një vagon për bartjen e xeheve. Vepra brutaliste është projektuar nga arkitekti dhe urbanisti, Bogdan Bogdanoviq

Për dallim prej shumë monumenteve a përmendoreve të tjera të periudhës jugosllave në vend, konstrukti i betonit që ka simbolikë të veçantë në atë që njihet si qyteti i minatorëve do të ketë trajtim të veçantë. Nëpërmjet një tenderi, Ministria e Kulturës po kërkon punëkryes të cilin mund ta paguajë deri në 195 mijë e 195 euro. Thirrja që është e hapur deri më 19 nëntor tregon se aty do të bëhen një varg investimesh

Ministria e Kulturës do të investojë afro 200 mijë euro në Përmendoren e Minatorëve në Mitrovicë. Për dallim prej shumë monumenteve a përmendoreve të tjera të periudhës jugosllave në vend, konstrukti i betonit që ka simbolikë të veçantë në atë që njihet si qyteti i minatorëve do të ketë trajtim të veçantë. Nëpërmjet një tenderi Ministria e Kulturës po kërkon punëkryes të cilin mund ta paguajë deri në 195 mijë e 195 euro. Thirrja që është e hapur deri më 19 nëntor tregon se aty do të bëhen një varg investimesh. 

Ndërhyrjet e parapara në Përmendoren e Minatorëve nuk kufizohen vetëm në pastrimin e sipërfaqeve dhe largimin e grafiteve. Dosja e tenderit parasheh investime që prekin strukturën e monumentit, mbrojtjen e tij nga ndikimet atmosferike, platformën vrojtuese, ndriçimin e jashtëm dhe sigurinë përmes instalimit të një sistemi të ri të video-mbikëqyrjes, i cili do të integrohet në rrjetin e Policisë së Kosovës.

Një nga ndërhyrjet kryesore është sanimi i pjesëve të dëmtuara të betonit të monumentit që është nën mbrojtje si aset i trashëgimisë kulturore. Sipas dosjes së tenderit, në sipërfaqet vertikale dhe horizontale të monumentit do të bëhen riparime me material të posaçëm për sanimin e betonit strukturor. Pas largimit të pjesëve të dëmtuara dhe përgatitjes së sipërfaqeve, materiali do të aplikohet në zonat ku paraqiten dëmtime. Punimet përfshijnë edhe rrafshimin e sipërfaqeve të riparuara, me qëllim që ato të kenë një pamje të njëtrajtshme dhe të jenë të gatshme për trajtimet përfundimtare.
Krahas sanimit të dëmtimeve ekzistuese, një rëndësi e veçantë i kushtohet mbrojtjes së betonit nga degradimi i mëtejmë. Dosja e tenderit parasheh aplikimin e një shtrese të veçantë mbrojtëse elastike në sipërfaqet e ekspozuara ndaj kushteve atmosferike. 

Në përshkrimin e këtij pozicioni, në dosjen e tenderit thuhet se shtresa mbrojtëse duhet të sigurojë “mbrojtje ndaj depërtimit të ujit, dyoksidit të karbonit, kripërave deakulluese dhe agjentëve të tjerë agresivë atmosferikë”. Po aty kërkohet që materiali të ruajë edhe përshkueshmërinë ndaj avujve të ujit, duke mundësuar mbrojtjen e strukturës pa penguar funksionimin e saj.

Një tjetër pjesë e rëndësishme e projektit është kulmi me hark i monumentit. Për këtë pjesë parashihet realizimi i një sistemi të ri të hidroizolimit. Punimet përfshijnë edhe vendosjen e një shtrese mbrojtëse dhe trajtimin e të gjitha nyjave, skajeve dhe pjesëve ku mund të ketë depërtim të ujit. Sipas specifikimeve, synohet që i gjithë kulmi të ketë një mbrojtje të vazhdueshme dhe të jetë plotësisht i papërshkueshëm nga uji.

Ndërhyrje është paraparë edhe në platformën vrojtuese të monumentit. Dosja e tenderit parasheh sanimin dhe ringjyrosjen e të gjithë strukturës së saj metalike. Fillimisht do të bëhet largimi i ndryshkut, ngjyrës së dëmtuar dhe papastërtive, ndërsa më pas do të aplikohet një shtresë mbrojtëse kundër korrozionit dhe dy shtresa të ngjyrës përfundimtare. Kjo ndërhyrje synon mbrojtjen e strukturës metalike nga ndikimet atmosferike dhe zgjatjen e qëndrueshmërisë së saj.

Në të njëjtën pjesë të projektit është përfshirë edhe vendosja e një gardhi të ri mbrojtës me rrjetë metalike të galvanizuar. Sipas dosjes, rrjeta do të vendoset në module dhe do të fiksohet në shtylla metalike, duke siguruar qëndrueshmëri dhe përfundim estetik. Ky investim është pjesë e ndërhyrjeve në platformën vrojtuese dhe elementeve përcjellëse të saj.

Një kapitull tjetër i projektit lidhet me ndriçimin e jashtëm të monumentit. Përveç çmontimit të trupave ndriçues ekzistues që janë dëmtuar, parashihet ndërtimi i bazamenteve të reja prej betoni dhe vendosja e shtyllave metalike të galvanizuara me lartësi prej tre metrash. Në to do të montohen trupa të rinj ndriçues LED.

Sipas dosjes, punimet nuk përfshijnë vetëm vendosjen e pajisjeve të reja, por edhe realizimin e lidhjeve elektrike, tokëzimin, testimin dhe vënien në funksion të ndriçimit. Kështu, synohet zëvendësimi i pjesëve të dëmtuara dhe krijimi i një sistemi të ri ndriçimi për hapësirën e monumentit.
Investimi tjetër i rëndësishëm është instalimi i sistemit të ri të video-mbikëqyrjes. Në dosjen e tenderit specifikohet se bëhet fjalë për një sistem të kompletuar për monitorimin e zonës së Monumentit të Minatorëve, i cili duhet të integrohet në rrjetin e monitorimit të Policisë së Kosovës.

Sistemi do të përfshijë kamera të jashtme, pajisje për regjistrimin dhe ruajtjen e pamjeve, monitor, pajisje për furnizim me energji elektrike dhe komponentë të tjerë të nevojshëm për funksionimin e tij. Një element i rëndësishëm është edhe sigurimi i energjisë së pandërprerë, në mënyrë që kamerat dhe pajisjet përcjellëse të vazhdojnë funksionimin edhe në rast të ndërprerjeve të furnizimit me energji elektrike.

Dosja përcakton se sistemi duhet të mundësojë monitorim në kohë reale, regjistrim dhe ruajtje të pamjeve, si dhe administrim të të gjitha pajisjeve nga rrjeti i integruar. Kërkesa është që ai të funksionojë pa ndërprerje, 24 orë në ditë dhe shtatë ditë në javë.

Kontraktuesi nuk do të ketë përgjegjësi vetëm për furnizimin dhe vendosjen e kamerave. Në kuadër të punimeve përfshihet edhe instalimi i të gjithë sistemit, konfigurimi i pajisjeve, orientimi i kamerave, programimi i regjistrimit, testimi dhe integrimi me qendrën e monitorimit të Policisë së Kosovës. Dosja kërkon që të gjitha pajisjet të jenë të përshtatshme për funksionim të përbashkët dhe të dorëzohen si një sistem plotësisht funksional.

Krahas këtyre investimeve, projekti përfshin edhe një sërë punimesh që lidhen me mirëmbajtjen dhe pastrimin e monumentit. Në këtë kategori hyjnë pastrimi i sipërfaqeve të betonit me ujë nën presion deri në 300 bar, pastrimi dhe mbrojtja e armaturës së ekspozuar, si dhe largimi i grafiteve nga sipërfaqet prej guri dhe betoni.

Për pastrimin e grafiteve kërkohet përdorimi i metodave që nuk dëmtojnë sipërfaqet ekzistuese. Dosja specifikon se procesi duhet të realizohet duke ruajtur “karakteristikat origjinale të sipërfaqes”.

Ndërkaq, për pastrimin e betonit kërkohet që presioni i ujit të përshtatet me gjendjen e materialit, në mënyrë që të mos shkaktohen dëmtime të tjera në strukturën e monumentit.

Në tërësi, specifikimet e dosjes së tenderit tregojnë se projekti parasheh ndërhyrje përtej pastrimit dhe përmirësimit të pamjes së jashtme të Monumentit të Minatorëve.

Monumenti përbëhet nga tri pjesë kryesore: dy shtylla të mëdha betoni, me formë konike dhe me brazda vertikale, si dhe një strukturë horizontale mbi ato, e cila të kujton një vagon për bartjen e xeheve. Vepra brutaliste është projektuar nga arkitekti dhe urbanisti Bogdan Bogdanoviq, një prej autorëve më të njohur të arkitekturës memoriale në ish-Jugosllavi. Sipas të dhënave, ndërtimi përfundoi më 1973 dhe vendi i ndërtimit është Kodra e Minatorëve, mbi qytetin e Mitrovicës. Monumenti ka lartësi prej 19 metrash.