Selektorja e Zvicrës në futboll, Pia Sundhage, e ka vlerësuar lart mesfushorin Riola Xhemaili. Ajo të enjten në konferencën për media, ka thënë se Xhemaili ka zhvilluar përgatitje të mira. Zvicra të premten e luan ndeshjen e parë miqësore kundër Kanadasë, kurse pas katër ditësh ndaj Skocisë. “Le të shohim nëse ajo luan nesër. Ne kemi idetë tona dhe do të shohim nëse ato funksionojnë. Por mund t’u them se Rioola është stërvitur shumë mirë”, ka thënë Sundhage.
Me selektoren e Zvicrës në konferencë u paraqit edhe Xhemaili.
Futbollistja e PSV Eindhovenit, ka folur për paraqitjen pozitive të Zvicrës në Evropian. Zvicra ishte nikoqire e Evropianit që u mbajt verën e këtij viti. Zvicra u ndal nga Spanja në çerekfinale. “Nuk mund ta përshkruaj me fjalë. Ishte një ndjenjë lumturie. Qëndron me mua përgjithmonë. Këto janë momentet që dëshiron t’i përjetosh si futbolliste”, është shprehur ajo. Është hera e parë e Zvicrës që grumbullohet pas Evropianit. Xhemaili ka theksuar se te PSV-ja ka kthyer dashurinë për futbollin. “Thjesht e kam rikthyer dashurinë për futbollin. Pata një kohë të vështirë në Wolfsburg’, ka shtuar Xhemaili.
22-vjeçarja për Zvicrën ka shënuar shtatë gola në 34 ndeshje.