Marc-Andre ter Stegen ka pritur tetë muaj deri në rikuperimin e plotë nga lëndimi i rëndë në gju, ndërsa do të kthehet mes shtyllave për ndeshjen e së shtunës mbrëma ndaj Real Valladolidit.
Portieri i Barcelonës tani ndihet mirë, teksa trajneri Hansi Flick e ka konfirmuar praninë e tij në formacionin startues.
“Natyrisht, ai do të kthehet në formacionin titullar. Tani mund ta mbyllim konferencën për shtyp, apo jo? Kjo ishte më e rëndësishmja”, ka thënë tekniku gjerman duke qeshur.
Valladolid – Barcelona luhet nga ora 21:00 dhe i takon xhiros së 34-t të La Ligas.
Barcelona është lidere me 76 pikë, katër më shumë se Real Madridi që luan të dielën në shtëpi ndaj Celta Vigos, nga ora 14:00.
Ter Stegen u lëndua në fitoren 5:1 ndaj Villarrealit më 22 shtator të vitit të kaluar.
Zëvendësues i suksesshëm i portierit gjerman deri tani ka qenë polaku Wojciech Szczesny, i cili iu bashkua Barcelonës ndonëse ishte i pensionuar.