Pas pesë fitoreve rresht, dy miqësoreve e tri ndeshjeve të Ligës së Kombeve, përfaqësuesja e Kosovës në futboll në fundjavë do të grumbullohet për ndeshjet e para kualifikuese të Kupës së Botës 2026
Ndeshjet e para kualifikuese për Botërorin 2026 në SHBA, Meksikë dhe Kanada, Kosova i zhvillon më 5 dhe 8 shtator.
Rezultatet pozitive ndaj Zvicrës dhe Suedisë do të mundësonin për ta mbajtur gjallë ëndrrën për kualifikim në Botërorin e vitit të ardhshëm.
Kosova ndeshjen kundër Zvicrës e luan në Basel, kurse ndaj Suedisë luan në Prishtinë.
Lista e lojtarëve për dy ndeshjet e para kualifikuese do të publikohet nga përzgjedhësi Franco Foda të premten, ka mësuar KOHA.
Në listë nuk do të jetë mesfushori i Altachut austriak, Vesel Demaku. Ai të hënën është operuar pas lëndimit të klavikulës të pësuar të dielën, në ndeshjen në kuadër të kampionatit elitar të Austrisë.
Demaku ishte prej më të mirëve në ndeshjet e këtij edicioni tek Altachu e po ashtu u shqua te Kosova. U vlerësua lart për paraqitjet ndaj Islandës në mars e po ashtu në miqësoren ndaj Armenisë në qershor.
Foda nuk do të mund të llogarisë në shërbimet e mesfushorit 25-vjeçar, i cili para se t’i bashkohej Kosovës luajti për grupmoshat e Austrisë.
“Sot në mëngjes e kam përfunduar operimin dhe 2-3 muaj nuk do të mund të luaj. Ky lëndim ka ardhur në momentin kur unë dhe ekipi po shkonim shumë mirë. Por çka të bëj, ky është futbolli. Besoj se do të kthehem edhe më i fortë”, ka thënë Demaku për KOHËN të hënën.
Mungesa e Demakut nuk do të jetë shqetësimi i vetëm për Fodan. Selektori në listë pritet t’i përfshijë disa lojtarë që nuk janë duke kaluar formë të mirë, ose që nuk kanë fare minutazhë. Por, natyrisht, do të ketë edhe lojtarë në formë e që pritet ta bartin barrën.
Te Kosova, pas një pauze të gjatë, pritet të kthehet Edon Zhegrova. Zhegrova nuk ka luajtur që nga dhjetori i vitit të kaluar. Ai të dielën ishte ftuar te Lille për ndeshjen ndaj Monacos. Por nuk luajti fare. Është në pritje të një transferimi.
E ardhmja në pikëpyetje
Mungesë të paraqitjeve ka edhe portieri i parë i Kosovës, Aro Muriq, ndërsa portieri i dytë, Amir Shaipi, nuk po kalon formë të mirë. Portieri i tretë Visar Bekaj po luan me ekipin Hatayspor në Kategorinë e Dytë të Turqisë.
Lumbardh Dellova e ka kërkuar largimin nga CSKA Sofia e Bullgarisë, ndërsa mbrojtësi i krahut të majtë, Leart Paçarada, nuk ka vend te Kolni i Bundesligës.
Paçarada nuk bën pjesë në planet e Kolnit dhe pritet të largohet së shpejti.
Mesfushori Lindon Emërllahu është kthyer vonë nga një lëndim muskulor. Ka kohë që nuk ka kompletuar ndeshje për skuadrën rumune, Cluj.
Si zëvendësues në fundjavë tek Augsburgu u paraqit Elvis Rexhbeçaj. Edhe Rexhbeçaj, siç është raportuar në mediumet gjermane, i ka munguar Augsburgut në ndeshjen e 17 gushtit për Kupë të Gjermanisë shkaku i problemit në gju.
Donat Rrudhani nuk ka luajtur asnjë ndeshje gjatë këtij edicioni. Është kthyer tek Young Boysi nga Luzerni ku ishte i huazuar sezonin e kaluar. Rrudhani po ashtu është i rëndësishëm te Kosova.
Sulmuesit në formë
Mirë nuk e nisi sezonin e ri as sulmuesi i parë i Kosovës, Vedat Muriqi. Në ndeshjen hapëse të edicionit të La Ligas, Muriqi u përjashtua me karton të kuq. Bëhet fjalë për ndeshjen që Mallorca e luajti ndaj Barcelonës.
31-vjeçari u përjashtua për ndërhyrje të ashpër ndaj portierit të Barcelonës në humbjen e Mallorcas 3:0, më 16 gusht.
Muriqi është bindshëm lojtari më efikas te Kosova. Pritet ta udhëheqë sulmin në ndeshjet kundër Zvicrës dhe Suedisë, ndonëse sulmuesit Albion Rrahmani, Meriton Korenica, Milot Rashica, Fisnik Asllani e Baton Zabërgja po kalojnë formë të mirë. Megjithatë, Muriqi luan në nivel dukshëm më lart se sulmuesit e tjerë të Kosovës.
Zabërgja së fundi debutoi për Metalistin e Ukrainës, par transferimit nga Dinamo City i Tiranës, kurse Fisnik Asllani në fundjavë shënoi dhe asistoi në fitoren e Hoffenheimit në Bundesligë.
Gola po shënon edhe Meriton Korencia te Cluji rumun e po ashtu edhe Rrahmani te Sparta Praga.
Por te Sparta nuk llogarisin në Ermal Krasniqin. Ai pritet të largohet shpejt nga klubi çek.
Edhe lojtarë të tjerë do të jenë pjesë e Kosovës për ndeshjet e shtatorit. Ron Raçi pritet të jetë njëri prej tyre. Ai ka qenë stabil në mbrojtjen e klubit të madh kroat, Hajduk Split. Për paraqitjet në Kroaci, qendërmbrojtësi Raçi ka marrë lëvdata nga trajneri, bashkëlojtarët dhe mediumet kroate.