Përzgjedhësi i Kosovës në futboll, Franco Foda, do ta publikojë të premten pasdite listën e lojtarëve për dy ndeshjet e radhës kualifikuese për Kupën e Botës 2026.
Në listën e Fodas për herë të parë do të jetë mbrojtësi i Hoffenheimit, Albian Hajdari. Ai ditë më parë vendosi ta përfaqësojë Kosovën e jo Zvicrën.
Në listë do të ketë edhe emra tjerë të konfirmuar, ndërsa pritet t’i mungojë kapiteni Amir Rrahmani.
Në Itali është raportuar se Rrahmani ditë më parë pësoi lëndimin e dytë në muskul brenda një periudhe të shkurtër.
Po ashtu të enjten është raportuar në mediume në Itali se Edon Zhegrova mund t’i mungojë Kosovës edhe për ndeshjet e këtij muaji, kundër Sllovenisë dhe Suedisë. Ndaj Sllovenisë Kosova luan në shtëpi më 10 tetor, kurse pas tri ditësh kundër Suedisë në Goteborg. Në FFK nuk kanë komentuar nëse Zhegrova do t'i mungojë Kosovës.
Po ashtu KOHA ka mësuar se nuk kanë marrë ftesë nga Foda dy lojtarët që luajnë në Suedi, Bersant Celina dhe Arbër Zeneli. Dy lojtarët kanë qenë shumë të rëndësishëm për Kosovën në të kaluarën. Takimi që pati me dy lojtarët presidenti i FFK-së, Agim Ademi, pak kohë më parë, ngjalli shpresë te dy lojtarët për kthim te Kosova. Por asnjëri prej tyre deri të enjten nuk ka pranuar ftesë nga Foda.
Ndërkohë Federata Shqiptare e Futbollit (FSFH) njoftoi se përzgjedhësi, Sylvinho, në ora 11:00, do të paraqitet në konferencë për media, ku edhe do ta bëjë publike listën për ndeshjen kualifikuese për Kupën e Botës 2026 kundër Serbisë dhe miqësores ndaj Jordanisë. Ndaj Serbisë, Shqipëria luan në Leskovc më 11 tetor, kurse miqësoren kundër Jordanisë e luan më 14 tetor.
Për Kosovën dhe Shqipërinë ndeshjet e këtij muaji kanë shumë peshë. Do të varet rrugëtimi i tyre për kualifikim në Kupën e Botës 2026.