Nën drejtimin e Paulo Fonsecas, Edon Zhegrova ishte prej më të mirëve në edicionin e kaluar te skuadra franceze, Lille. Luajti 47 ndeshje në të gjitha garat. Megjithatë, ai e filloi sezonin në stol, ashtu siç ishte edhe në ndeshjen e parë në “Stade du Hainaut”, kundër Fenerbahçes javën e kaluar. Por, sulmuesi i Kosovës 20 minuta pasi hyri në fushë, tregoi atë që di më së miri. Ai shënoi supergol në minutën e 91-të për t’ia siguruar fitoren ekipit francez 2:1 ndaj ekipit të drejtuar nga portugezi Jose Moruinho. Te Lille presin shkëlqimin e Zhegrovës për ta kaluar në plejofin e Ligës së Kampionëve.
“Edon Zhegrova ka cilësi të rëndësishme dhe ju e dini, e keni parë tashmë me fanellën e Lille. Ashtu si lojtarët e tjerë që hynë në ndeshjen e parë, ai ishte me ndikim. Na bëri të festojmë në fund të ndeshjes. Kjo është gjë pozitive. Ju e njihni botën e futbollit dhe konkurrencën. Puna e trajnerit nënkupton edhe zgjedhjen e disa lojtarëve në ndeshje të caktuara. Është vetëm fillimi dhe pritja si e lojtarëve, ashtu edhe e stafit është për të ndihmuar skuadrën në çdo ndeshje”, ka thënë Dimitri Farbos, ndihmëstrajner i Bruno Genesios, të hënën në konferencë para ndeshjes kthyese kundër Fenerbahçes.
Ndeshja Fenerbahçe – Lille luhet të martën në Stamboll nga ora 19:00.
Për Zhegrovën fjalë të mëdha ka thënë edhe futbollisti i Belgjikës, Thomas Meunier. Ai iu bashkua këtë verë ekipit francez nga Trabzonspori turk. Meunier ka luajtur më herët edhe për Borussia Dortmundin, Paris Saint-Germainin dhe Club Bruggen.
“Unë e kisha parë Zhegrovën në disa ndeshje sezonin e kaluar. Dhe, individualisht është i jashtëzakonshëm. Ai është një driblues i pastër, paska një version modern i Robenit. Ndonjëherë është pak i pangopur me topin, i pëlqen dhe është loja e tij. Ai ka cilësi të jashtëzakonshme. Hyrja e tij në fushë ishte vendimtare. Çdo top që prekte, mbrojtësit nuk e dinin ku do të shkojë”, ka thënë belgu.
Edhe
Zhegrova merr lëvdata për paraqitjen magjike ndaj Slavias së Pragës
Ai shpreson që Zhegrova të vazhdojë të paraqitet në nivele të larta.
“Nëse ai mund të shfrytëzojë aftësitë e tij dhe të punojë më shpesh për ekipin, ai do të bëhet një lojtar i jashtëzakonshëm. Nuk dyshoj sepse cilësitë i ka, ai është lojtar i uritur, i cili ende duhet të tregojë se mund të përshtatet në çdo ekip dhe të ndihmojë bashkëlojtarët e tij”, ka theksuar 32-vjeçari. Ai ka krijuar lidhje të fortë me lojtarin e Kosovës.