Në fitoren e Lillet të dielën mbrëma, Edon Zhegrova ishte në bankën e rezervistëve. Lille fitoi 1:0 në shtëpi ndaj Monacos me golin që e realizoi sulmuesi francez Olivier Giroud. Kjo ndeshje i takoi javës së dytë të elitës së futbollit francez.
Trajneri i Lillet, Bruno Genesio, pas ndeshjes nuk e përjashtoi mundësinë e largimit të Reprezentuesit të Kosovës në afatin kalimtar të kësaj vere. Ai shtoi se deri në përfundim të afatit kalimtar nuk do të kuptohet nëse Zhegrova do të vazhdojë me Lillen.
“Ai është këtu. Do të shohim nëse do të jetë këtu deri në fund. Edonit i duhet kohë, nuk ka luajtur për një kohë shumë të gjatë. Përveç kësaj, ai kishte një lodhje të vogël muskulore që u riaktivizua pasdite. Nuk mora asnjë rrezik”, u shpreh Genesio, shkruajnë të hënën mediumet franceze.
26-vjeçari Zhegrova për shkak të një lëndimi nuk ka luajtur prej dhjetorit të vitit të kaluar.
Sulmuesi i krahut të djathtë me Lillen ka zhvilluar 107 ndeshje ku ka kontribuar me 26 gola dhe 18 asistime. Kontrata i përfundon në verën e vitit të ardhshëm.
Marseille dhe Juventusi janë prej skuadrave të interesuara për Zhegrovën.