Përzgjedhësi i Shqipërisë në futboll, Sylvinho, e ka cilësuar të vështirë, por jo vendimtare ndeshjen kundër Letonisë.
Shqipëria, të martën, nga ora 20:45 e zhvillon ndeshjen e katërt kualifikuese për Kupën e Botës 2026. Ndeshja Letoni – Shqipëri luhet në “Skonto Stadium” në Riga dhe i takon grupit K të kualifikimeve për Botërorin e vitit të ardhshëm, që mbahet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Meksikë.
Për Shqipërinë është ndeshja e dytë e këtij muaji, pas asaj ndaj Serbisë. Ndeshja me shumë peshë, Shqipëri – Serbi, përfundoi 0:0.
Për paraqitjen e Shqipërisë ndaj Serbisë, Sylvinho, është pyetur edhe të hënën në konferencën e mbajtur në Riga. Por, braziliani është fokusuar më shumë për ndeshjen kundër Letonisë.
Sipas tij, ndeshja ndaj Letonisë është e vështirë.
“Ndeshja e dytë është gjithmonë më e vështirë për rikuperimin dhe menaxhimin e skuadrës. Këtë e thonë edhe shumë trajnerë tjerë. Ne nuk e kemi vendosur ende formacionin. Kemi edhe një stërvitje të lehtë dhe nesër mund të kemi ide më të qartë se kush do të jetë në formacion. Kemi shumë lojtarë për të bërë zgjidhje. Kemi mundësi për të zgjedhur dhe do të vendosim nesër, pasi t’i përfundojmë përgatitjet”.
Ai i ka dalë në mbrojtje sulmuesit Rey Manaj, i cili humbi penallti në ndeshjen ndaj Serbisë.
“Rey Manajn e njoh nga mosha e re, kur ishte tek Interi. Manaj ka personalitet, por e kam folur edhe me atë. Përgjegjësia është e imja. Jam unë ai i cili vendos për lojtarin që gjuan penallti”, është shprehur Sylvinho.
Kuqezinjtë kanë luajtur katër ndeshje kualifikuese kundër Letonisë. Dy herë janë përballur gjatë kualifikimeve për Evropian, në vitin 1999, dhe dy herë në kualifikimet për Botëror, në vitin 1992 dhe 1993. Por, në asnjërën prej katër ndeshjeve, Shqipëria nuk ka dalë fituese përballë Letonisë. Në kualifikimet për Evropian kishte luajtur baras 3:3 dhe 0:0. Edhe në kualifikimet e Botërorit njëra ndeshje kishte përfunduar 0:0 dhe tjetra 1:1.
Sylvinho ka insistuar se Shqipëria ka shënuar ngritje në shumë aspekte gjatë viteve të fundit.
“Në futboll ka gjithmonë presion. Në kombëtare ka gjithmonë presion edhe më të madh. Kemi mbyllur tri ndeshje, kemi edhe pesë të tjera për të mbyllur grupin. Futbolli nuk të jep kohë shumë. Duhet të fitojmë sa më shumë pikë të jetë e mundur. Letonia e ka mposhtur Andorrën, kështu që edhe për atë, por edhe për ne është një ndeshje e rëndësishme. Nuk mund të them ende vendimtare, por e rëndësishme. Duke e krahasuar me dy vjetët e mëparshme, është ekip më me eksperiencë në menaxhimin e emocioneve dhe presionit. Letonia është ekip fizik, ka lojtarë të fortë dhe luan me skema të ndryshme 3-5-2, 3-4-3. Ka një trajner italian, ka metodë specifike. Ka 2-3 lojtarë të shpejtë dhe mund të jenë funksionale. Është ndeshje e vështirë, por e rëndësishme”, thotë Sylvinho.
Shqipërisë në ndeshjen ndaj Letonisë i mungon kapiteni Berat Gjimshiti. Por, Sylvinho ka theksuar se për ta mbuluar pozicionin e Gjimshitit, Shqipëria ka dy apo tri opsione.
Me Sylvinhon në konferencë u paraqit edhe mesfushori i Interit, Kristjan Asllani. Ai ishte më i hapur në përgjigjet para gazetarëve.
Asllani tha se në Riga kanë udhëtuar vetëm për fitore.
“Vijmë nga një ndeshje shumë pozitive nga aspekti i lojës. Kemi luajtur shumë mirë, na ka munguar vetëm goli. E dimë që kemi një ndeshje të vështirë këtu, por na duhen tri pikë për ta vazhduar ëndrrën tonë”.
Ai ka insistuar se ndeshja ndaj Letonisë është e vështirë për Shqipërinë.
“Kemi një ndeshje vërtetë të vështirë. Rivalët kanë trajner italian. Unë i njoh mirë italianët se si punojnë. Do të jetë një ndeshje taktike, pasi punojnë shumë mirë taktikisht. Do të mbrohen shumë mirë. Por, tani nuk po mendoj për Kristjan Asllanin, por po mendoj për skuadrën. Kemi ardhur këtu për ta fituar ndeshjen”, ka shtuar Asllani.
Shqipëria nga tri ndeshje ka fituar katër pikë. Anglia është e para në grupin K me nëntë pikë. Letonia nga dy ndeshje ka tri pikë, kurse Serbia, që zë vendin e katërt, ka një pikë nga një ndeshje. Andorra është pa pikë.