Përzgjedhësi i Shqipërisë, Sylvinho, ka rreshtuar disa fjalë të mëdha për Anglinë. Ka përmendur sukseset e mëparshme të “Tre Luanëve”, ndërsa e ka vlerësuar lartë edhe ecurinë pozitive të Anglisë në këtë cikël eliminator të Botërorit 2026.
Por, braziliani 51-vjeçar ka theksuar se është krenar për futbollistët që ai i drejton. Shqipëria e siguroi suksesin historik, pjesëmarrjen në plejofin e Botërorit 2026, pas fitores 1:0 në udhëtim tek Andorra të enjten mbrëma. Për këtë arsye, Sylvinho ka thënë se do të jenë më të qetë në duelin e së dielës, ndërsa është zotuar se Shqipëria do të bëj lojë të mirë.
Shqipëria – Anglia luhet të dielën nga ora 18:00 në stadiumin “Air Albania” në Tiranë dhe i takon Grupit K kualifikues.
Anglia e ka siguruar biletën e Botërorit pasi në shtatë ndeshje ka po aq fitore në vendin e parë, kurse Shqipëria e dyta ka 14 pikë dhe është e paarritshme nga Serbia që zë vendin e tretë me 10 pikë.
Nga grupi janë eliminuar edhe Letonia me pesë pikë, dhe Andorra me vetëm një pikë. Shqipëria do t’i ketë edhe dy “finale” tjera, për ta siguruar biletën e Botërorit që vitin tjetër organizohet në Kanada, Meksikë dhe SHBA.
“Që nga fillimi kam thënë se jam shumë krenar që jam trajner i Shqipërisë. Është periudhë e jashtëzakonshme dhe po e shijoj çdo ditë. Është shumë e vështirë kur je trajner që sapo ke ardhur, nuk flet gjuhën, nuk kupton gjërat, por çdo gjë po shkon mirë. Ndjehem në shtëpi, ndaj jam i kompletuar. Kur nuk pëson shumë, nuk është se kemi mbrojtësit më të mirë, por për organizimin e ekipit, të gjithë bëjnë shumë sakrifica në fushë. Ndaj jam shumë krenar që jam trajner i këtyre lojtarëve. Gjithashtu, pres një ndeshje të madhe nesër. Jam shumë i lumtur”, ka deklaruar Sylvinho të shtunën në konferencën për shtyp.
Sylvinho ka theksuar se Anglia, përveç që do të jetë kundërshtare shumë e vështirë për Shqipërinë, është njëra prej kandidateve për të triumfuar në Botëror.
Në fakt statistikat e Anglisë janë të shkëlqyera. “Tre Luanët” me përzgjedhësin Thomas Tuchel kanë realizuar 20 gola dhe nuk e kanë pranuar asnjë në shtatë ndeshjet e deritashme. Shqipëria ka shtatë gola të shënuar e tre gola të pranuar.
“Anglia është ndër favoritët në Botëror. Spanja, Brazili, Argjentina, Gjermania, Franca, janë nivel komplet tjetër. Ne jemi të lumtur që do të luajmë për herë të parë në plejof në mars, por është krejtësisht ndryshe, nesër do të jetë ndryshe. Kanë një trajner të mirë, kanë 25-26, por edhe 40 lojtarë që luajnë në Premier League dhe vende të tjera. Flasim për një nga favoritët për Kupën e Botës”, është shprehur Sylvinho.
Në konferencën për shtyp të shtunën përkrah teknikut brazilian, ishte edhe kapiteni i “kuqezinjve” dhe qendërmbrojtësi i Atalantas, Berat Gjimshiti.

Gjimshiti ka theksuar se është i bindur që Shqipëria duhet t’i tregojë vlerat ndaj Anglisë. Fitorja do t’i shërbente Shqipërisë edhe për shortin e plejofit, pra për vend më lartë në vazo.
“Sigurisht që do të jetë një ndeshje si të gjitha në kualifikuese. Do ta japim maksimumin, do të japim gjithçka. Janë tri pikë. Është ndeshje e rëndësishme. Kemi arritur në plejof, por është ndeshje e vështirë, me një kundërshtar të fortë. Do të japim gjithçka për ta vendosur në vështirësi atë ekip, e pastaj të shohim se çfarë do të ndodhë”, ka theksuar kapiteni Gjimshiti.
Edhe Gjimshiti beson se Anglia është prej favoriteve për të triumfuar në Botëror.
Gjimshiti do të ketë përballje të vështirë, me njërin prej sulmuesve më në formë, Harry Kane.
“Kane lëviz shumë, nuk rri kurrë afër mbrojtjes. Kthehet, e merr topin, është teknikisht i fortë dhe ka kualitet. Është e vështirë të luash kundër tij. Nëse luan Foden, cilësia do të jetë e njëjtë, por edhe ai është lojtar që lëviz shumë. Duhet të kemi kujdes, të flasim në fushë dhe të bashkëpunojmë për t’i ndalur”, ka thënë Gjimshiti.
Ndeshjen e parë të ciklit eliminator të Botërorit, Anglia e fitoi në “Wembley” ndaj Shqipërisë, 2:0.