Futboll

Fitorja ndaj Andorrës, opsioni i vetëm për kuqezinjtë

sh

Kombëtarja e Shqipërisë në futboll është paraqitur dy herë në Kampionatin Evropian. Është rrugës për paraqitje në një tjetër turne të madh të futbollit.

Por për ta vazhduar ëndrrën për kualifikim në Kupën e Botës 2026, Shqipërisë i duhet fitore në ndeshjen ndaj Andorrës. Për të siguruar që të enjten plejofin kualifikues, i duhet edhe fitorja e Anglisë ndaj Serbisë.

Shqipëria kundër Andorrës luan në Encamp, të enjten nga ora 20:45. Është ndeshja e parafundit kualifikuese për Kupën e Botës në SHBA, Meksikë dhe Kanada.

Përzgjedhësi i Shqipërisë, Sylvinho, ka thënë se Andorra është kundërshtare e vështirë. Braziliani ka theksuar se Andorra luan mirë në fazën defensive. Por ai pret nga lojtarët të dalin fitues nga përballja në Andorrë.

“Janë dy ndeshje të ndryshme. Trajneri i Andorrës është për kohë të gjatë dhe njeh shumë mirë ekipin dhe lojtarët e tij. Në lojën defensive është i mirë dhe nxjerr maksimumin nga lojtarët e tij. Është ekip që pëson maksimumi dy gola dhe këtë e kemi parë edhe në ndeshjet tjera të cilat i kemi analizuar. Edhe në Tiranë ishte e vështirë në fillim, por kur shënuam golin e parë dhe të dytë ishim pastaj më të qetë. Kemi parë edhe ndeshjet tjera, ndaj Serbisë ishte baras në pjesën e parë. Është ekip i vështirë për t’u mposhtur, por unë shpresoj se nesër do t’ia dalim ta fitojmë ndeshjen”, ka thënë Sylvinho në konferencën për media, të mërkurën.

Ai ka shtuar se lojtarët e Shqipërisë duan të shkruajnë tjetër histori.

“Po rritemi shumë si federatë. Kur rritemi ne, rriten edhe të tjerët sigurisht. Kjo shikohet edhe në rezultatet që kemi pasur në kualifikuese, Evropian dhe tash në kualifikueset e Botërorit. Diferencat në futboll tashmë po bëhen më të vogla dhe ky është pasioni që të sjell futbolli. Kur luan jashtë është më e vështirë. Ne kemi treguar rezultate më të mira në shtëpi. Jemi në situatë të mirë, të cilën nuk e kemi pasur më herët në histori të kombëtares, që të jemi shumë afër kualifikimit në plejof. Shpresoj të kemi ndeshje të mirë nesër kundër Andorrës”, është shprehur Sylvinho.

Përzgjedhësi i kuqezinjve ka paralajmëruar ndryshime të vogla kundër Andorrës. Ka përmendur se mund të luajë me dy sulmues.

“Ekipi do të jetë i njëjtë për sa i përket shpirtit, garës dhe mënyrës se si është ndërtuar dhe menaxhohet dhoma e zhveshjes dhe gjithçka që ka të bëjë me të. Mund të ketë një sulmues më tepër, ndërtimi i lojës mund të jetë më ndryshe, por gjithçka do të varet nga karakteristikat e ekipeve të ndryshme me të cilat përballemi. Sigurisht që ky detyrim ka nisur që nga ndeshja me Letoninë. Jemi një ekip që pësojmë pak, ruajmë qetësinë dhe kjo na jep mundësinë për të arritur te goli”.  

Sylvinho nga lojtarët që do ta kenë rastin të luajnë në ndeshjen vendimtare, pret maksimumin në fushë.

“Lojtarët duhet të hyjnë në fushë të përqendruar dhe të japin maksimumin. Duhet ta menaxhojmë mirë ndeshjen, pasi do të jenë 90 minuta shumë të vështira kundër një ekipi që mori barazim me Serbinë në pjesën e parë dhe Anglinë 1:0. Është ndeshje e vështirë për t’u luajtur”, ka thënë Sylvinho.

Para Sylvinhos në konferencë foli kapiteni Berat Gjimshiti. Ai tha se qëllimi i vetëm është fitorja.

“Kemi ardhur për një qëllim, të marrim pikët e plota, pasi na duhen për ndeshjet kualifikuese. Kemi parë ndeshjet që Andorra i ka zhvilluar ndaj Anglisë dhe Serbisë. I ka vënë në vështirësi, por ne do të luajmë lojën tonë dhe besoj se do të hyjmë me vetëbesim të madh në fushë për ta fituar ndeshjen. Do ta respektojmë kundërshtarin, do të jenë të mëdha 90 minutat, por ne duhet të jemi të fortë mentalisht për të përballuar të gjitha”, ka thënë Gjimshiti.

Ai ka thënë se ëndrra për t’u kualifikuar në Botëror mund të bëhet realitet.

“Ndeshje shumë e rëndësishme. Ndeshja e radhës është gjithmonë e rëndësishme. Jemi në moment të mirë, do të hyjmë në fushë për të marrë pikët e plota për të vazhduar ëndrra të sigurojmë plejofin. Nëse do më kishit pyetur para dhjetë vitesh, sigurisht jo, por nëse më pyesni tani them po, sepse besoj në mundësitë e ekipit, mundësitë që t’i jep futbolli, sepse futbolli të jep të gjitha mundësitë dhe kjo është ajo që të shtyn përpara e besoj edhe ekipin. Gjithçka është e arritshme dhe pse jo mos ta provojmë”, ka theksuar Gjimshiti.

Shqipëria ndeshjen e fundit e ka të dielën me Anglinë në Tiranë. 

Anglia ka siguruar kualifikimin, kurse Shqipëria është e dyta me 11 pikë. Pason Serbia në vendin e tretë me 10 pikë, kurse Letonia është e katërta me pesë pikë. Andorra zë vendin e fundit me një pikë.