Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Ramaj e pret Gjermaninë, por Gjermania është shumë larg tij

Diant Ramaj - Copenhagen

Më shumë se paraqitje për Borussia Dortmundin, portieri Diant Ramaj ka deklarata se si dëshiron të luajë për Gjermaninë. 

24-vjeçari më 3 shkurt të vitit 2025 iu bashkua skuadrës së madhe gjermane. Dhe deri më tani nuk e ka asnjë paraqitje në ndeshje garuese. Ka gjasa që as mos ta ketë ndonjë. 

Ndërkohë dekaratat e tij për dëshirën që të luajë për Gjermaninë janë të shumta. Dhjetëra, nëse jo më shumë.

Ramaj ka luajtur për U18, U19 dhe U20 të Gjermanisë. Kosova e ka kontaktuar në disa raste. Madje në disa momente ka pasur shpresë te Kosova se portieri do të bashkohet me “Dardanët”. Kjo nuk ka ndodhur deri më tani. Dhe gjasat po bëhen gjithnjë e më të vogla që ai të luajë ndonjëherë për Kosovën.

E edhe më të vogla që Ramajt t’i realizohet synimi për të luajtur për Gjermaninë.

Edhe Diant Ramaj nuk do të luajë për Kosovën – “Nuk është çështje për të” Futboll Diant Ramaj nuk do të luajë për Kosovën – “Nuk është çështje për të”

“Synim i qartë për mua është të paraqitem mjaftueshëm mirë për të luajtur futboll ndërkombëtar dhe më pas t’ia dal në ekipin nacional – në ekipin nacional të Gjermanisë”, kishte thënë Ramaj për “swr.de” më 24 nëntor të vitit të kaluar.

Menaxheri i portierit kishte theksuar se “Kosova nuk është çështje për të”. Kjo deklaratë është e 21 tetorit të vitit të kaluar.

Ramaj të hënën e bëri lëvizjen e radhës në karrierë. U huazua nga Dortmundi te skuadra daneze Copenhagen. Te Copenhageni ishte huazuar edhe në pranverën e vitit të kaluar. Më pas për një edicion ishte i huazuar te Heidenheimi, skuadra që nuk ia doli ta sigurojë mbetjen në elitën gjermane.
Pasi te Dortmundi llogaritej vetëm portieri i tretë, Ramajt i është thënë të kërkojë skuadër tjetër. Dhe kaloi te Copenhageni, klub që e ka opsionin për ta transferuar plotësisht pas përfundimit të huazimit. 
Me Dortmundin, portieri ka kontratë deri në vitin 2029. Kur e transferoi Dortmundi, në fillim të vitit të kaluar, ishte opsioni që ai të bëhej portier i parë i skuadrës, nëse eventualisht zvicerani Gregor Kobel do të largohej në verë. Por 28-vjeçari Kobel nuk u largua verën e kaluar dhe nuk largohet as këtë verë. Dhe Ramaj është dashur të kërkojë opsione të tjera. Por opsionet e tjera e largojnë gjithnjë e më shumë nga synimi që një ditë të ruajë portën e Gjermanisë.

Ka shumë portierë që janë në listë para Ramajt për paraqitje te Gjermania. Në fakt ai as që vlerësohet prej kandidatëve nga mediumet gjermane.

Në Botëror, Manuel Neuer ishte portier i parë. Ai u tërhoq nga pensionimi për të luajtur në Botëror dhe është pensionuar sërish. Oliver Baumann i Hoffenheimit ishte i dyti, ndërsa e pagoi çmimin e kthimit të Neuerit, pasi fillimisht vlerësohej portier i parë. Alexander Nubel, tani te Beshiktashi, ishte i treti.

Për vend te Gjermania, në konsideratë merren kryesisht lojtarët e Bundesligës apo të top-ligave të tjera evropiane. E tillë nuk është liga daneze. 

Ramaj megjithatë ka thënë se është i kënaqur që i është bashkuar Copenhagenit.

“Jam vërtet i lumtur që u arrit marrëveshja dhe mezi pres t’u bashkohem djemve sërish”, ka thënë Ramaj për faqen zyrtare të klubit danez.

Edhe Foda i kënaqur me gjendjen e lojtarëve, fokusi te ndeshja me Slloveninë Futboll Foda i kënaqur me gjendjen e lojtarëve, fokusi te ndeshja me Slloveninë

“Tashmë kam pasur kohë fantastike këtu dhe jam i përkushtuar të ndërtoj në këtë. Më duket plotësisht e drejt të jem te Copenhageni. Më ka munguar atmosfera e veçantë në ditët e ndeshjeve në ‘Parken’. Klubi dhe mentaliteti më përshtaten plotësisht, pasi unë dal në fushë për të fituar çdo herë. Dhe kjo më shtyn përpara”, ka thënë Ramaj.

Gjermania dështoi në Botëror dhe Jurgen Klopp mori përgjegjësinë për ta kthyer në rrugën e sukseseve. Ndryshime të shumta priten në përfaqësuesen gjermane, duke nisur nga ndeshja e 24 shtatorit ndaj Holandës. Por duket pak e mundur që ndryshimet t’i shërbejnë Ramajt për të pranuar ftesë nga Kloppi i famshëm.