Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Prishtina Parking rikthehet me tarifa të reja, qytetarët kundërshtojnë shtrenjtimin

Prishtina Parking

“Prishtina Parking” pritet të rikthehet në kryeqytet me rregulla dhe tarifa të reja. Banorët rezidentë do të paguajnë taksë vjetore, ndërsa për qytetarët e tjerë do të vlejnë tarifat sipas zonave dhe kohës së parkimit. Por, qytetarët e kundërshtojnë shtrenjtimin dhe kërkojnë më shumë vendparkime e investime nga kjo ndërmarrje.

Rikthimi i “Prishtina Parkingut” në kryeqytet do të bëhet me rregulla dhe tarifa të reja. 

Këto parashihen në Rregulloren e miratuar nga Kuvendi Komunal i Prishtinës.

Ndryshimet përfshijnë mënyrën e pagesës, tarifat për parkim dhe trajtimin e banorëve rezidentë.

Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Leutrim Retkoceri, thotë se rregullorja është hartuar pas vendimit të Gjykatës Supreme, e cila kishte rrëzuar disa dispozita që ishin në kundërshtim me legjislacionin në fuqi dhe Kushtetutën e Kosovës.

Sipas Retkocerit, banorët rezidentë do të paguajnë taksë vjetore, ndërsa qytetarët e tjerë do t'i nënshtrohen tarifave, varësisht nga zona dhe koha e parkimit.

“ Ka taksë dhe tarifë. Qytetarët që janë banorë rezidentë do të kenë një taksë vjetore, ndërsa do të jenë të liruar dhe pa pagesë të tarifave. Ndërsa për qytetarët të cilët parkohen në zona të caktuara me kohë, me biletë njëorëshe, për ta do të ketë tarifë. Kjo tarifë është vendosur në bazë të kërkesës së ndërmarrjes dhe kushteve të cilat janë analizuar nga komisioni, të cilat janë dërguar si propozime në Kuvend dhe Kuvendi i ka miratuar si të tilla”, ka deklaruar Retkoceri.

Retkoceri bën të ditur se ndërmarrja fillimisht kishte kërkuar rritje prej 100 për qind të taksave. Por, komisioni kishte propozuar rritje prej rreth 40 për qind, e cila ishte miratuar nga Kuvendi Komunal.

Një tjetër ndryshim është heqja e kompetencës së “Prishtina Parkingut” për shqiptimin e gjobave. Kjo përgjegjësi, sipas tij, do t'u takojë Inspektoratit dhe Policisë së Kosovës, varësisht nga natyra e shkeljes

Por, ndryshimet në tarifat e parkimit dhe rikthimi i ndërmarrjes nuk po mirëpriten nga të gjithë qytetarët.

“Mendoj që nuk është punë e mirë rikthimi i tyre (Prishtina Parkingut), për shkak se ata nuk po bëjnë investime, ata veç po marrin para kot pa bërë asnjë investim. Shikojeni gjendjen e këtij parkingu këtu, gropa prej fillimit deri në fund të parkingut, dëmtimi i gomave të kerrit. Duhet me notuar për me shkuar deri te kerri, kështu që nuk po mendoj që është punë e mirë...Në bazë të kësaj që po shihet, s'ka nevojë as me rritë çmimin, as me marrë para hiç.”, theksoi Raif  Ibrahimi, qytetar.

“Për shtrenjtimin që e kish bërë, për pagesën boll keq. S'jemi të pajtimit asnjëri për këtë punë…E paguan parkingun edhe nuk e ke parkingun të siguruar. Endesh, endesh gjysmë ore, një orë dhe nuk ka parking…"Prishtina Parkingu" le të hiqet krejt, le të mbyllet, çka po na duhet? Ashtu kështu nuk na sigurojnë parkingun për kerr, pagesën po e bëjmë, atëherë s'ka nevojë hiç, pse me ia bërë pagesën?”, ka thënë Fidaim Konjuhi, qytetar.

“Sa i përket Prishtina Parkingut, mendoj që nëse kthehet prapë, duhet të kthehet me çmimet që ka qenë, jo më të shtrenjta, për shkak se është bërë shumë ngarkesë e madhe e veturave nëpër lagje dhe ne si banorë rezidentë nuk kemi mundësi ku me parku veturën. Prandaj duhet me kqyrë me bë një zgjidhje sa më të mirë, edhe ne si banorë rezidentë, edhe kur shkojmë në ndonjë lagje tjetër, të paguajmë me një çmim më të arsyeshëm”, ka thënë Yll Vuthi, qytetar.

Në zonën e parë parkimi do të kushtojë 1 euro e 40 centë për një orë nga 1 euro sa ishte, si në parkingjet rrugore ashtu edhe në ato jashtërrugore.

Përderisa në zonën e dytë, në parkingjet rrugore dhe jashtë rrugore, tarifa do të jetë 0.70 euro nga 0.50 euro sa ishte. Ndërsa në zonën e tretë, çmimi do të jetë 0.40 euro për orë.