Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Studentët e Mjekësisë i japin fund bojkotit mësimor

studente

Pas dy javësh bojkot, studentët e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës pritet t’i kthehen procesit mësimor. Vendimi është marrë pas pranimit nga Rektorati të kërkesave të tyre, si dhe lejimit të metodave alternative për evidentimin e vijueshmërisë, deri në gjetjen e një zgjidhjeje të përshtatshme

Pas dy javësh bojkot nga studentët e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës, të hënën pritet që ata t’i kthehen procesit mësimor.

Bojkoti i studentëve, i lidhur me sistemin e vijueshmërisë përmes QR-kodeve dhe për disa kërkesa të tjera, pritet të marrë fund pas deklaratës së rektorit të UP-së, Arben Hajrullahu, i cili i ka pranuar shqetësimet dhe kërkesat e studentëve, duke i cilësuar ato si legjitime.

Rektori i UP-së është zotuar për vazhdimin e dialogut me studentët, hartimin e rregullores së veçantë për Mjekësinë, rishikimin e programeve dhe syllabuseve, avancimin e vlerësimit të mësimdhënies, zgjidhjen e problemeve me evidentimin e vijueshmërisë dhe përgatitjen e planit për kompensimin e orëve të humbura.

Me këtë, studentët kanë njoftuar rikthimin në procesin mësimor, por pa pranuar sërish evidentimin e vijueshmërisë përmes QR-kodeve, duke kërkuar përdorimin e metodave alternative.

“Mbrëmë kemi pranuar një sqarim zyrtar nga Rektorati i Universitetit të Prishtinës, lidhur me disa nga çështjet të cilat i kemi ngritur dhe adresuar vazhdimisht në emër të studentëve të Fakultetit të Mjekësisë. Lidhur me evidentimin e vijueshmërisë, Rektorati ka lejuar përdorimin e metodave alternative të evidentimit, deri në krijimin dhe implementimin e një sistemi të përshtatshëm për specifikat dhe nevojat e Fakultetit të Mjekësisë. Kjo nënkupton se evidentimi i vijueshmërisë mund të realizohet përmes listave fizike dhe formave të tjera alternative, pa qenë i kushtëzuar nga përdorimi i sistemit elektronik përmes skanimit të QR Code. Presim nga Rektorati që sot të njoftojë të gjithë stafin akademik”, thuhet në njoftimin e Këshillit Studentor të Fakultetit të Mjekësisë.

Ndërkaq, lidhur me deklaratat e mëhershme të rektorit, të cilat studentët i kishin konsideruar kërcënuese dhe për të cilat kishin protestuar duke kërkuar edhe dorëheqjen e tij, pas deklaratës së fundit të tij, ata kanë thënë se e shohin këtë si reflektim institucional.

Bojkoti i sistemit të vijueshmërisë përmes QR-kodeve nga studentët e Mjekësisë ka nisur më shumë se një vit më parë, ndërsa bojkoti i procesit mësimor para dy javëve.