Mjekët e rinj, aktualisht të papunësuar kanë vazhduar edhe të dielën protestën e tyre. Kësaj here kanë organizuar një aksion në sheshin “Skënderbeu”, ku ofruan konsulta mjekësore falas për qytetarët. Përmes këtij aktiviteti, ata kërkuan punësim dhe kushte për të ushtruar profesionin në Kosovë, në kohën kur mbi 500 mjekë figurojnë të papunë
Me moton “Shteti na injoron, por ne nuk i injorojmë qytetarët tanë”, mjekët e rinj në pritje të punësimit kanë vazhduar edhe të dielën protestën e tyre. Kësaj here ata kanë organizuar një aksion, duke ofruar shërbime mjekësore falas për qytetarët.
Aksioni i së dielës është mbajtur në sheshin “Skënderbeu”, pas protestës të së shtunës para Ministrisë së Shëndetësisë.
Profesionistët shëndetësorë kërkuan punësim në publik, konkurse transparente për specializime dhe pagesën e stazhit gjashtëmujor.
“Kemi vazhduar këtë aksion simbolik, ku në formë të protestës do t'u ofrojmë konsulta mjekësore falas qytetarëve të vendit. Këto konsulta ofrohen nga doktorët e papunë, të cilëve, domethënë, nuk u është dhënë mundësia t'u shërbejnë qytetarëve të vendit, ndonëse vullneti dhe dëshira janë shumë të mëdha për t'i shërbyer vendit tonë dhe për të kontribuar për qytetarët e këtij vendi. Kemi dëshirë që dijen që e kemi marrë nga shteti ynë t'ia kthejmë vendit dhe të mos emigrojmë. Mirëpo, realiteti i hidhur sot është se emigrimi është shumë i madh. Vetëm në pesë vitet e fundit, mbi 650 doktorë e kanë lënë vendin. Po flasim vetëm për doktorët, ndërsa numri është shumë më i madh kur përfshihen profesionistët shëndetësorë në tërësi”, ka thënë Besfort Racaj, përfaqësues i iniciativës.
Në kuadër të këtij aksioni është organizuar edhe një peticion për të mbledhur nënshkrimet e qytetarëve, si mbështetjeje për kërkesat e profesionistëve shëndetësorë.
“Jo vetëm unë, por të gjithë qytetarët duhet ta përkrahin një iniciativë të tillë, pa marrë parasysh bindjet apo dallimet. Kjo është e ardhmja e Kosovës. Mjekët janë baza e një shteti; kur nuk ke shëndetësi, nuk ke asgjë. Qytetarët duhet t’i përkrahin, jo t’i detyrojnë të largohen. Duhet të bëjmë gjithçka që iniciativa të tilla të mbështeten”, ka thënë Agim Fushtica, qytetar.
Sipas të dhënave të Odës së Mjekëve të Kosovës, 534 mjekë figurojnë të papunë.
Vetëm në dhjetë muajt e parë të vitit 2026 janë licencuar 1.042 mjekë, ndërsa gjatë periudhës 2022–2025 janë licencuar gjithsej 5.224 mjekë.
E numri i mjekëve që kanë kërkuar dokumentacionin për punësim jashtë vendit ka shënuar rënie, nga 211 në vitin 2022 në 95 në vitin 2025.
KOHA ka siguruar edhe të dhënat e Odës Federale të Mjekëve të Gjermanisë për numrin e mjekëve nga Kosova që punojnë në këtë shtet.
Sipas këtyre të dhënave, në vitin 2025 në Gjermani ishin gjithsej 611 mjekë nga
Kosova, prej të cilëve 568 ishin profesionalisht aktivë.