Sportistët shqiptarë në Mal të Zi janë në moment të mirë. Në fundjavë disa prej tyre kanë arritur rezultate historike e të tjerë rezultate të rëndësishme.
Për shembull, Anes Arifaj. Ai ishte pjesë e përfaqësueses së Malit të Zi në karate që fitoi të artën në Kupën e Botës në Hangzhou të Kinës. Për Malin e Zi ky sukses u vlerësua historik. Bëhet fjalë për ngjarjen më të rëndësishme të karatesë në konkurrencë ekipore, përkatësisht të përfaqësueseve.
“Komuna e Tuzit uron sportistin tonë, Anes Arifajn, për fitimin e titullit kampion bote në karate, në garat ekipore të Kupës së Botës në Hangzhou të Kinës”, shkruan në një njoftim që Komuna e Tuzit e publikoi të dielën.
Mali i Zi mori pjesë për herë të parë në këtë ngjarje të rëndësishme të karatesë. Në finale fitoi 3:2 ndaj Turqisë. Mali i Zi arriti fitore ndaj Jordanisë në çerekfinale dhe ndaj karateistëve të Rusisë në gjysmëfinale. Në fazën grupore shënoi fitore ndaj Algjerisë, Kinës e Australisë, kurse humbi nga Irani.
Anes Arifaj ishte shqiptari i vetëm në ekipin me tetë karateistë të Malit të Zi.
Kosova nuk ishte e kualifikuar në këtë ngjarje.
Edhe në futboll, Mali i Zi po merr pjesë për herë të parë në Botëror. Bëhet fjalë për Botërorin për futbollistët deri në 17 vjet që po mbahet në Katar. Në këtë Botëror janë 48 përfaqësuese. Mali i Zi të shtunën barazoi 1:1 me Republikën Dominikane, në ndeshjen e parë në grup. Dhe golin e shënoi Mark Gjokaj.
Gjokaj është talent i madh i Deçiqit të Tuzit. Dhe tani është lojtari i parë që ka shënuar gol për Malin e Zi në Botëror.
“Jam shumë i lumtur që kam shënuar golin e parë për Malin e Zi në Botëror. Por më vjen pak keq që nuk kemi fituar. Kemi mundur të fitojmë, por tani fokusi është te ndeshja me Algjerinë”, ka thënë Gjokaj për televizionin e Malit të Zi.
Xhudisti që ka prejardhje edhe shqiptare, Stevan Sadiku, fitoi medalje të bronztë në Botërorin për juniorë që këtë javë u mbajt në Tashkent të Uzbekistanit.
Ndërkohë lider në kampionatin e Malit të Zi në futboll është Otranti i Ulqinit. Pas xhiros së 16-të, Otranti udhëheq me 30 pikë, katër më shumë se Buduqnosti i Podgoricës. Deçiqi i Tuzit është i pesti.
Otranti të shtunën fitoi 1:0 ndaj Bokelit.