Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Gati 3.000 nxënës mësojnë në shkollën ku disa hapësira s’janë rinovuar për 45 vjet

shkolla ismail qemali

Gati pesë dekada pas ndërtimit, shkolla “Ismail Qemali” vazhdon të ketë pjesë të objektit që nuk janë rinovuar kurrë. Dritaret, tualetet dhe disa nga dyert janë të para 45 vjetëve e në disa hapësira depërton uji sa herë ka reshje shiu. Drejtuesit e shkollës thonë se komuna ka premtuar që në shtator do të nisin rinovimet, por dy muaj më vonë, kjo nuk ka ndodhur

Investimet e kryera ndër vite nuk i kanë eliminuar të gjitha gjurmët e amortizimit në shkollën fillore “Ismail Qemali” në Prishtinë.

Që nga ndërtimi i objektit, në vitin 1981, dritaret, tualetet, një pjesë e dyerve dhe shkallëve nuk janë ndërruar.

Drejtoresha e shkollës, Mimoza Krasniqi, thotë se disa hapësira kanë nevojë për ndërhyrje urgjente.

“Normal që prej 2020 e këndej ka nevojë për ndërhyrje, herë pas here kemi bërë ndërhyrje me ndërmarrjen banesore, vazhdimisht kemi dërguar emaila, kemi bo ndërhyrje por ndërhyrje të përkohshme. Banjot kanë nevojë komplet me u renovu d.m.th. banjot e katiti të parë dhe të katit të dytë. Me kalimin e kohës edhe dritaret… se prej 81 janë edhe dritaret janë demolu, normal kanë nevojë për ndryshim për shkak të ngrohjes dhe ftohjes. Gjatë temperaturave të larta hynë nxehtësia e mëdha brenda, gjatë temperaturave të ftohta hynë të ftohtit. Shkolla e ka një të mirë se i ka ngrohjet e qytetit. Investimet që duhet m’u investu urgjente i kemi banjot dhe derën emergjente të kati i bodrumit”, ka thënë Krasniqi.

Sipas saj, nga Drejtoria e Arsimit e Komunës së Prishtinës ishte premtuar se renovimi do të nisë në shtator, por kjo nuk ka ndodhur.

“Këtë vit është paraparë me u renovu shkolla, në renovimin e pjesërishëm parashihet izolimi i jashtëm i shkollës, dritaret, dyert e klasave dhe dera e emergjencës. Klasat e bodrumit nuk kanë derë emergjente dhe duhet pa tjetër të kryhet këtë vit. Komuna e Prishtinës, Drejtoria e Arsimit i kemi pasur në takim na kanë premtu që ky projekt që është paraparë me u realizu ka me u realizu por nëse nuk realizohet projekti i Berzhi-it, Komuna e Prishtinës ka më bo një zgjidhje tjetër”, ka thënë ajo.

Përveç amortizimit të hapësirave, shqetësim për shkollën mbetet edhe depërtimi i ujit në bodrum gjatë reshjeve të shiut.

Sipas drejtoreshës Krasniqi, uji depërton edhe në hapësira që mund të paraqesin rrezik për nxënësit dhe stafin.

“Te aparati i energjisë elektrike ku bëhet shpërndarja e energjisë elektrike në krejt shkollën, aty rrjedh uji i pastër që vjen nga mesi i oborrit. Kur ka shumë të reshura ujëmbledhësi depërtojnë nëpër ato kanale që i kanë por me siguri me kalimin e kohës ato janë dëmtuar dhe kanë nevojë për izolim”, është shprehur Krasniqi.

Shqetësimet për gjendjen e objektit i ka ngritur edhe Këshilli i Prindërve të shkollës.

Në një përgjigje me shkrim për KOHËN, nga këshilli kanë thënë se Komuna e Prishtinës si dhe Ministria e Arsimit janë në dijeni të ankesave të tyre, të cilat siç thonë ua kanë adresuar shumë herë.

“Ankesa të shumta kemi adresuar tash e disa herë, na është premtuar shumë herë dhe jemi zhgënjyer, sepse nuk është bërë asnjë lëvizje! Objekti është shumë i amortizuar, ka nevojë urgjente për riparime. Këto ditë të reshjeve lagështia i ka kapluar muret e bodrumit dhe kundërmon erë myku”, thuhet në përgjigje.

Nga Drejtoria e Arsimit kanë thënë se renovimi i shkollës është paraparë në kuadër të projektit me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, por ky projekt është bllokuar.

Ditë më parë Zyra Kombëtare e Auditimit ka njoftuar se komuna e Prishtinës ka telashe me kredinë nga BERZH-i, ngase brenda 2 vjetësh ka realizuar 21 pagesa, në vlerë prej 2.18 milionë euro, për aktivitete dhe projekte që nuk ishin pjesë e qëllimit në marrëveshjen për kredinë. 

Megjithatë Drejtori Arianit Elshani thotë se si alternativë po pritet një kontratë e re për renovimin e shkollave, e cila është në fazën e vlerësimit. 

“Çka është ma e shpejta që ne mund të bëjmë si drejtori komunale e arsimit është që jemi duke prit nënshkrimin e një kontrate të re për renovimin dhe ndërhyrjen dhe në qoftë se kjo kontratë nënshkruhet që është në një fazë vlerësimi, në qoftë se proceduralisht plotësohet brenda këtij viti, investimi i parë do të jetë në shkollën ‘Ismail Qemaili’. Pra ky do të jetë investimi i parë që do të bëhet”, ka thënë Elshani.

Ndër vite në këtë shkollë janë realizuar edhe investime. Disa depo janë shndërruar në kabinete, është shtruar korridori i bodrumit, ndërsa dy klasat parashkollore janë sistemuar në hapësirën e bufesë së shkollës.

Shkolla “Ismail Qemali” numëron 2 mijë e 689 nxënës.