Në minutën e 12-të, Diant Ramaj, bëri një pritje që ngriti në këmbë shikuesit në stadiumin “Voith-Arena” të Heidenheimit.
Ramaj priti gjuajtjen e Jakub Kaminskit të Kolnit, që ishte rreth shtatë metra larg. Si të ishte portier i hendbollit, Ramaj u hodh në të majtë dhe me dorën e majtë priti gjuajtjen e fortë të kundërshtarit. Pastaj lëshoi një ulërimë gëzimi, sikur të kishte shënuar gol.
Pritja e minutës së 12-të ishte një prej shumë që i bëri Ramaj gjatë ndeshjes që Heidenheimi dhe Kolni e mbyllën baras, 2:2, të shtunën.
Heidenheimi, falë portierit të huazuar nga Borussia Dortmundit, fitoi një pikë në garën për mbijetesë në Bundesligën gjermane.
“Ne e morëm Diant Ramajn për të qenë portieri numër një pas lëndimit të Frank Fellerit”, komentoi paraqitjen e Ramajt trajneri i Heidenheimit, Frank Schmidt.
“Dhe sot e pamë përsëri pse është numri një”.
Rreth një vit më parë, Borussia Dortmundi transferoi djaloshin e lindur në Stuttgart, i cili fillimisht nisi karrierën te Kickers Suttgart dhe më pas vazhdoi në akademinë e të rinjve të Stuttgartit.
Dortmundi e bleu 5 milionë euro nga Ajaxi dhe menjëherë e huazoi te Copenhageni në Danimarkë. Në verë, drejtuesit e Dortmundit huazuan sërish Ramajn. Këtë herë arritën marrëveshje me Heidenheimin.
Ramaj kishte qenë më herët pjesë e të rinjve dhe ekipit rezervë të Heidenheimit. Por u kthye si portier i parë.
24-vjeçari ka shfrytëzuar rastin në Bundesligë. Kishte edhe momente të vështira si në rastin e humbjes 4:0 nga Bayerni.
Megjithatë, paraqitjet si ajo kundër Kolnit e kanë rritur më shumë vlerën e tij.
Një gjë është e sigurt: Ramaj do ta përfundojë edicionin te Heidenheimi.
Dhe pastaj çfarë?
Dortmundi do të vendosë se çfarë do të ndodhë me portierin në verë.
Siç ndodhë pothuajse çdo vit, në Dortmund bëhet pyetja nëse portieri i parë, Gregor Kobel, do të mbetet apo do të largohet. Me treshen Kobel, Alexander Meyer dhe Patrick Drewes, Dortmundi është mirë i pozicionuar në portë.
“Nëse Kobel qëndron, nuk ka arsye që Dortmundi ta përfshijë Ramajn në skuadër për edicionin e ardhshëm. Ish-portieri i të rinjve të Gjermanisë nuk do të kishte dëshirë në kulm të karrierës të qëndronte në stol te Dortmundi. Kontrata e Ramajt me Dortmundin është e vlefshme deri në qershor të vitit 2029. Sipas rregullores së Federatës së Futbollit të Gjermanisë, lejohet të huazohet deri në vitin e fundit të kontratës”, shkruan mediumi gjerman “Waz”.