Futboll

Ramaj e Kobel në luftë fjalësh nga distanca

Diant Ramaj

Diant Ramaj nuk mund të akuzohet për vetëbesim. 23-vjeçari e di mirë se çfarë do nga vetja. Ai e dëshiron vendin e titullarit te Borussia Dortmundi. Portieri i gjatë 189 centimetra e ka përsëritur këtë gjë disa herë, së fundmi në një intervistë dhënë mediumit të njohur gjerman “Kicker”.

“Absolutisht është e qartë. Dua që të bëhem portieri numër një i Dortmundit. Punoj çdo ditë për këtë”, kishte thënë Ramaj në atë intervistë, shkruan të shtunën mediumi tjetër gjerman “Wa.de”.

Në mënyrë që të luajë rregullisht, Ramaj është huazuar nga Borussia Dortmundi te rivali i Bundesligës, Heidenheim, për edicionin që ende nuk ka nisur. Paraqitjet në ndeshje zyrtare janë “më të rëndësishmet” për të, shton Ramaj. Ai shpreson që ta bindë përzgjedhësin e Gjermanisë në futboll, Julian Nagelsmann, me paraqitje sa më të mira. “E di se çfarë jam në gjendje të bëj dhe besoj se mund ta ndjek këtë rrugë”, ka thënë Ramaj.

Deklarimeve të Ramajt iu është kundërpërgjigjur portieri aktual i Dortmundit, Gregor Kobel.

Ramaj synon që ta zërë vendin e tij sa më shpejt që të jetë e mundur. Kobel nga ana tjetër te Borussia Dortmundi është prej vitit 2021 dhe ka kontratë deri në vitin 2028. Dhe 27-vjeçari i është kundërpërgjigjur kolegut të tij më të ri në moshë.

“Personalisht, nuk e njoh atë mirë ende. Natyrisht, të gjithë dëshirojnë që ta arrijnë synimin dhe maksimumin në karrierë. Si portier, kjo është edhe më e vështirë”, ka deklaruar Kobel për “Sport1”.

Konkurrenca në ekip është pjesë e futbollit, vazhdon portieri zviceran.  

“Gjithmonë është dikush nga pas që të bën presion. Por nuk mendoj për këtë gjë shumë. Unë vetëm mundohem ta jap më të mirën çdo ditë”.

Ramaj, i cili me Heidenheimin do të luftojë që të mos bjerë nga elita e futbollit gjerman, është duke e bërë të njëjtën gjë si Kobeli. 23-vjeçari u transferua te Borussia Dortmundi nga Ajaxi i Amsterdamit për shtatë milionë euro në muajin shkurt. Por u huazua menjëherë te Copenhageni, skuadra më e suksesshme daneze në futboll. Me Copenhagenin, Ramaj e fitoi titullin dhe Kupën e Danimarkës. Ai ka thënë se ky sukses nuk është marrë seriozisht në Gjermani.

Por kjo nuk e shqetëson Ramajn. “Unë kam gojë dhe e them atë që e mendoj”, ka thënë portieri shqiptar. “E kam dëshmuar se e kam një nivel të caktuar të aftësisë të cilën nuk kam nevojë që ta fsheh”.