Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Ronaldo feston me lot në sy triumfin me Portugalinë në Ligën e Kombeve

ronaldo

Cristiano Ronaldo ka fituar një tjetër trofe në moshën 40-vjeçare. Portugezi realizoi gol, u lëndua dhe festoi me bashkëlojtarët e tjerë në triumfin ndaj Spanjës, të dielën në Munih, në finalen e Ligës së Kombeve.

Portugalia e mposhti Spanjën me rezultatin 5:3 në ekzekutimin e penalltive.

Ronaldo e tregoi se është ende prej më të mirëve që në gjysmëfinale. Ai e kishte shënuar golin e fitores 2:1 ndaj Gjermanisë. Të dielën Ronaldo e barazoi rezultatin në 2:2 dhe ia siguroi vazhdimet Portugalisë. Portugezët më pas ishin më të mirë gjatë ekzekutimit të penalltive, duke ia shkaktuar Spanjës humbjen e parë në 19 ndeshje.

Në minutën e 61-të ylli global e dërgoi topin në rrjetë pas harkimit të Nuno Mendesit.

Për Ronaldon ishte goli i 138-të me Portugalinë në 221 ndeshje dhe i 938-ti në karrierë. Ai e la fushën në minutën e 88-të shkaku i një lëndimi muskulor. Por, ka përkrahur bashkëlojtarët nga banka rezervë. 

Edhe Ronaldo: Sukseset me Portugalinë nuk krahasohen me asgjë Futboll Ronaldo: Sukseset me Portugalinë nuk krahasohen me asgjë

Spanja ishte e para që kaloi në epërsi me golin e Martin Zubimendit në minutën e 21-të. Mendes, që u shpall lojtari më i mirë i ndeshjes, i barazoi shifrat në minutën e 26-të. Por, Mikel Oyarzabal e shënoi një tjetër gol për Spanjën që në pushim shkoi me epërsi 2:1.

Ronaldo më pas i barazoi shifrat kur kishte kaluar pak më shumë se një ore lojë.

Në vazhdime nuk pati gola dhe fituesi u caktua në penallti.

Goncalo Ramos, Vitinha, Bruno Fernandes, Mendes e Ruben Neves shënuan për Portugalinë. Te Spanja dështoi vetëm Alvaro Morata, në penalltinë e katërt. Për spanjollët shënuan Mikel Merino, Alex Baena e Isco.

Portugalia e fiton Ligën e Kombeve për herën e dytë. E kishte fituar edhe turneun inaugurues në vitin 2019.

Edhe Ronaldo largohet pa lavdinë shumë të dëshiruar në Kupë të Botës Botërori 2026 Ronaldo largohet pa lavdinë shumë të dëshiruar në Kupë të Botës

Franca në vitin 2021 e fitoi edicionin e dytë, kurse Spanja triumfoi në vitin 2023.

Ishte finalja e dytë rresht ku penalltitë përcaktuan fituesin. Spanja në edicionin e kaluar e kishte mposhtur Kroacinë, 5:4.