Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Ronaldo vazhdon të luajë për Portugalinë

Cristiano Ronaldo

Cristiano Ronaldo është përfshirë në listën e Portugalisë për ndeshjet e Ligës së Kombeve.

41-vjeçari Ronaldo kishte lënë të kuptohet se mund të tërhiqej nga përfaqësuesja pas Botërorit të mbajtur në verë. 

Por, ylli i futbollit ende nuk e ka në plan largimin. 

Ronaldo do të jetë 43-vjeçar në “Euro 2028”, që është turneu i radhës i madh. 

Lista e publikuar të premten është e para e përzgjedhësit të ri, Jorge Jesus, i cili e zëvendësoi spanjollin Roberto Martinez. 

Jesusi më herët ka punuar me Ronaldon tek Al Nassr në Arabinë Saudite, kurse e fituan ligën së bashku në edicionin e kaluar.

72-vjeçari Jesus ka udhëhequr edhe disa klube portugeze, përfshirë Benfican dhe Sportingun. 

Pesë herë fituesi i “Topit të Artë”, Ronaldo, i prin listës së golashënuesve në nivel përfaqësuesesh. I ka plot 146 gola. Arritja më e madhe me Portugalinë është triumfi në “Euro 2016”. 

Portugalia e nis Ligën e Kombeve më 24 shtator në shtëpi ndaj Uellsit. Luan me Norvegjinë në udhëtim tri ditë më vonë, e më pas me Danimarkën më 1 tetor. Më 4 tetor e pret Norvegjinë.