Futboll

Ronaldo: Sukseset me Portugalinë nuk krahasohen me asgjë

Cristiano Ronaldo

Një tjetër trofe për Cristiano Ronaldon. Më shumë rekorde, më shumë pëlqim. 

Ylli portugez ka qarë pasi ndihmoi Portugalinë ta fitonte Ligën e Kombeve të dielën mbrëma. Ronaldo shënoi gol në barazimin 2:2 të Portugalisë me Spanjën në finale. Më pas lojtarët portugezë siguruan fitoren dhe trofeun e rëndësishëm duke triumfuar 5:3 në penallti.

“Kam shumë tituj me klubet e mia, por asgjë nuk është më mirë se të fitosh me Portugalinë”, ka thënë Ronaldo. “Këta janë lot. Është mision i kryer dhe ka kaq shumë gëzim”, ka shtuar ylli i futbollit.

40-vjeçari Ronaldo ishte i pari që doli në fushë për nxehjen para ndeshjes. U prit shumë ngrohtë nga tifozët e Portugalisë, shumë prej të cilëve mbanin fanella me emrin e tij.

Shfaqja e tij bëri që shumë tifozë të nxirrnin telefonat për të incizuar superyllin, ndërsa kishin rastin ta shihnin ende në aksion. Ronaldo tha të shtunën se nuk do të jetë në gjendje të luante përgjithmonë.

Ajo deklaratë erdhi tri ditë pasi ndihmoi Portugalinë të fitonte ndaj Gjermanisë për herë të parë në 25 vjetët e fundit. E shënoi golin e fitores 2:1 në gjysmëfinale të Ligës së Kombeve.

Të dielën superylli sërish udhëhoqi Portugalinë. Ishte fillimisht ndeshje frustruese pasi shanset e tij ishin të limituara nga mbrojtja shumë punëtore e Spanjës.

Nuno Mendes shënoi golin e barazimit për Portugalinë pasi Martin Zubimendi shënoi fillimisht për Spanjën. Mikel Oyarzabal shënoi për epërsinë 2:1 të spanjollëve. Por, Ronaldo ishte në vendin e duhur në momentin e duhur për të shënuar golin e barazimit 2:2. Kjo solli gëzim të madh te tifozët shumë besnikë të Cristiano Ronaldos.

Ishte goli i 138-të i Ronaldos për Portugalinë. Askush asnjëherë nuk ka shënuar kaq shumë për vendin e tij.

Ronaldo vazhdoi përpjekjet e mëdha në ndeshjen që ishte e 221-ta e tij për përfaqësuesen. Por, shpenzoi shumë energji dhe u zëvendësua mes brohoritjeve të tifozëve në minutën e 88-të. Ai tregoi se ka pësuar një lëndim në ndeshje.

“E kam ndier gjatë ngrohjes, e kam ndier për një kohë. Por për përfaqësuese, nëse më duhet ta thyej këmbën, do ta thyej”, ka thënë Ronaldo. “Ishte për trofe, më është dashur të luaj dhe të jap maksimumin tim”.

E ardhmja e Ronaldos është e paqartë, pasi kontrata e tij me skuadrën arabe Al-Nassr është e vlefshme deri në fund të muajit. Ai megjithatë ka lënë të kuptohet se do të vazhdojë te kjo skuadër.

Por, edhe për Portugalinë.

“Kam jetuar në shumë vende, kam luajtur për shumë klube. Por, kur bëhet fjalë për Portugalinë, atëherë është gjithnjë ndjenjë e veçantë”, ka thënë Ronaldo.

Ronaldo me Portugalinë e ka fituar dy herë Ligën e Kombeve, ndërsa triumfoi edhe në Kampionat Evropian. Ka dhjetëra trofe me Real Madridin, Manchester Unitedin, Juventusin dhe Sportingun. 

“Ju e dini se sa vjet i kam tashmë. Qartë se jam më afër fundit se që isha në fillim, por më duhet ta shijoj secilin moment. Nëse nuk lëndohem, unë do të vazhdoj”, ka thënë Ronaldo.

Para periudhës së Ronaldos, Portugalia ishte kualifikuar vetëm tri herë në Botëror dhe tri herë në Evropian. Nuk  kishte trofe të rëndësishëm të fituar. Me Ronaldon, Portugalia është kualifikuar pesë herë në Botëror dhe gjashtë herë në Evropian. Po ashtu ka fituar tre trofe.